
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të BDI-së lidhur me projektin energjetik të realizuar përmes MEPSO-s, duke theksuar se vetë zyrtarët e kësaj partie në të kaluarën kanë konstatuar dështimin dhe nevojën për ndërprerjen e kontratës me kompaninë “Energoinvest”.
Sipas VLEN-it, iniciativa për ndërprerjen e kontratës nuk është e re dhe nuk ka karakter politik, por buron nga menaxhmenti i mëparshëm i MEPSO-s, në kohën kur në krye të sektorit juridik ka qenë ish-ministri i drejtësisë nga radhët e BDI-së, Bilen Saliji. “Pra, një kuadër i vetë BDI-së ka nisur procedurën për ndërprerje, pasi është konstatuar se kontrata është jofunksionale dhe me kosto të lartë për qytetarët”, thuhet në reagim.
VLEN thekson se të njëjtin qëndrim e ka shprehur publikisht edhe ish-drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani, i cili ka deklaruar se kontrata duhej ndërprerë për shkak të mungesës së aktiviteteve në terren dhe kërkesave të pajustifikuara për mjete shtesë. “Këto nuk janë qëndrime të VLEN-it, por të vetë njerëzve të BDI-së”, nënvizon reagimi.
Sipas këtij subjekti politik, projekti në fjalë ka pasur realizim prej vetëm rreth 4 për qind në një periudhë pesëvjeçare, ndërsa shteti ka vazhduar të paguajë kamata për kredi që nga viti 2015. Në të njëjtën kohë, thuhet se nuk ka pasur aktivitete ndërtimore konkrete, por vetëm kërkesa për anekse financiare në kundërshtim me kontratën.
VLEN sqaron se vendimi për ndërprerjen e kontratës është marrë mbi bazën e një analize të thelluar forenzike, të përgatitur në kuadër të një projekti të mbështetur nga USAID, si dhe në përputhje me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), nën mbikëqyrjen e së cilës zhvillohet projekti.
Në reagim, VLEN akuzon BDI-në për përpjekje për të krijuar panik në opinion përmes, siç thuhet, “shifrave dhe konstrukteve”, duke shmangur pyetjet thelbësore për mosrealizimin e projektit gjatë kohës kur kjo parti ishte në pushtet.
“Pse për pesë vite projekti nuk u ndërtua? Kush përfitoi ndërkohë që paguheshin kamata dhe kërkoheshin anekse?”, shtrohet në reagim.
Në fund, VLEN vlerëson se qëndrimi aktual i BDI-së nuk është në mbrojtje të interesit publik, por të një sistemi që, sipas tyre, ka lejuar stagnimin e projekteve dhe rritjen e kostove për qytetarët. “VLEN ndërton dhe do të vazhdojë të ndërtojë”, përfundon reagimi.



