
Vladimir Klitçko po mendon një rikthim shokues në ring, me shpresën që të ketë mundësi të duelojë për të fituar një tjetër titull kampion bote në peshën e rëndë, në moshën 48-vjeçare. Klitçko nuk ka boksuar që nga humbja e tij në vitin 2017 ndaj Enthony Xhoshua.
Spekullimet janë shtuar nga fakti se ukrainasi, dominues i botës në peshat e rënda në kohën e tij, po tundohet nga ideja për të qenë sërish kampion bote, në një moshë të madhe. Tom Loeffler, i cili themeloi “K2 Promotions” me vëllezërit Klitçko, zbuloi për “Sky Sports” detaje nga ky rikthim.
“Unë e di se në një moment ishte një ëndërr e tij të thyente rekordin e Xhorxh Foremanit dhe të bëhej kampioni më i vjetër i peshave të rënda. Nuk dua të flas për Vladimir, do ta lë vetë atë që të thotë gjithçka që lidhet me këtë çështje”, tha Loefler, që la të hapur mundësinë e rikthimit të legjendës ukrainse të ringut.
Janë katër tituj të mëdhenj botërorë për të cilët Kiltçko mund të duelojë në rikthimin. Tajson Fjuri dhe Oleksandr Usyk do të përballen për tri prej tyre (VBC, VBO dhe VBA), në revanshin e 21 dhjetorit. Daniel Dubua mban rripin e katërt dhe të fundit (IBF) dhe do ta mbrojë atë në shkurt ndaj Josef Parker.
“Vladimir nuk dëshiron të duelojë ndaj Usyk, sepse ai është bashkatdhetari i tij. Por tani, me boksierë të tjerë në ring si Daniel Dubua dhe në varësi të asaj që ndodh, ne mund ta shohim atë si një mundësi e mirë për të dalë nga pensioni dhe të rikthehet në ring. Shumë varet nga ajo që do të ndodhë më 21 dhjetor”, tha Loeffler.
“Nuk ka ambasador më të mirë për boksin se Vladimir dhe vëllai i tij Vitalij. Nëse e rikthejmë Vladimirin përsëri në ring mendoj se shumë fansa do të ishin shumë të emocionuar ta shihnin përsëri”, shtoi Loeffler.
Klitçko humbi titujt në duelin ndaj Tajson Fjuri në vitin 2015, ndërsa revanshi mes tyre nuk u zhvillua asnjëherë.



