
Mbrëmë (e premte) është dhënë premierë filmi “Zgjoi” në Kosovë.
Pjesë e premierës kanë qenë emra të shumtë, figura publike si dhe krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Kjo e fundit publikoi të shtunën në faqen e saj zyrtare në Facebook disa fotografi nga premiera e filmit “Zgjoi”, duke vlerësuar lartë arritjet e ekipit të filmit dhe në veçanti regjisores Blerta Basholli.
Ky është postimi i saj (pa ndërhyrje):
“Nder e kënaqësi e veçantë që mbrëmë së bashku me ekipin e filmit “Zgjoi”, organizuam premierën e filmit në Kosovën tonë.
Kur një histori dhimbjeje, frymëzimi, sakrifice, përkushtimi, humbjeje e triumfi siç është historia e znj. Fahrije Hoti dhe e grave të Krushës vjen nën interpretimin maestral të aktorëve tanë të jashtëzakonshëm në krye me Yllka Gashin, e shfaqet në ekran me profesionalizëm nën regjinë e një regjisoreje të shkëlqyeshme si Blerta Basholli – rezultati final s’mund të ishte asgjë më pak se sa një krijimtari artistike për ta pasur zili edhe bota.
Ditë pas dite, sukseset e kinematografisë sonë sa vijnë e bëhen më kolosale. Nëpërmjet filmit, filmbërësit tanë po e tregojnë rrëfimin e Kosovës, dhimbjet, vuajtjet, sfidat, sukseset, të arriturat, kulturën, mendësinë, zhvillimin dhe historinë tonë. Ata tashmë janë ambasadorët tanë, nëpërmjet të cilëve Kosova po hap kapituj të ri të lavdisë!
Ju faleminderit që historinë tonë po e shndrisni me gjurmë të suksesit. Ju priftë e mbara”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Kujtojmë që Vjosa Osmani muaj më parë e kishte shpërblyer regjisoren Basholli me medaljen presidenciale të meritave të veçanta për arritjet që filmit “Zgjoi” shënoi në festivalet ndërkombëtare.
Foto: Blerta Basholli/Facebook
“Zgjoi” deri më tani ka fituar 12 çmime, ndër to tri të rëndësishme në Sundance Film Festival. /Telegrafi/