KulturëLajme

Viti i Dantes

Sivjet mbushen 700 vjet nga vdekja e shkrimtarit më të madh italian, Dante Alighieri, autori i “Komedisë hyjnore” e konsideruar si kryevepra e letërsisë italiane e nga më të rëndësishme e letërsisë botërore. Për të nderuar kujtimin e shkrimtarit e Dantes Alighieri, Ministria e Artit dhe e Kulturës në Itali ka vënë në dispozicion një fond me mbi dy milionë euro për realizimin e një programi kulturor kombëtar që do të vlerësojë figurën e tij, të veprave të tij, si dhe të vendeve ku ai ka jetuar.

Viti 2021 apo viti Dantesk nisi me eksperiencën e një viti të rënduar për artin e kulturën italiane, por dhe me pjekurinë për të nderuar shkrimtarin e madh, ashtu siç ishte parashikuar e pavarësisht masave të detyrueshme anti-pandemi që vazhdojnë të mbajnë të mbyllur muzetë e të limitojnë lëvizjet e popullsisë italiane

Gjuhëtari, filozofi, poeti, shkrimtari, politikani Dante Alighieri lindi më 1265 në Firence, qyteti që qysh në ditën e parë të vitit 2021, në muzeun “Galleria delgi Uffizzi” hapi zyrtarisht vitin dantesk me ekspozitën virtuale të titulluar “Për të parë sërish yjet” .

Për herë të parë do të jenë të vizitueshme, virtualisht, 88 skica që ilustrojnë poemën “Komedia Hyjnore” të realizuara nga piktori Federico Zuccari, i cili është dhe autori i afreskeve të Kupolës së Katedrales së Firences, Santa Maria del Fiore. Ilustrimet janë ndër më të rëndësishmet mbi veprën danteske deri para shekullit XIX.

Pikturat kanë hyrë në pronësi të muzeut të Firences në vitin 1738, si dhuratë nga princesha Anna Maria Luisa de Medici, pinjollja e fundit e dinastisë fiorentine Medici – familja protagoniste e historisë italiane e evropiane në periudhën kohore prej  shekullit të XV deri më XVIII. Ilustrimet deri sot ishin të njohura vetëm nga studiuesit e të apasionuarit e veprës danteske.

Drejtori i “Gallerie degli Uffizi”, Eike Schmidt shprehet se “për herë të parë 88 pikturat do të ekspozohen të plota e të shoqëruara me një analizë didaktike e shkencore që do të jenë online për çdo person”.

Alighieri ndërroi jetë në Ravena në natën mes 13-14 shtatorit të vitit 1321, në moshën 56 vjeçare. Për studiuesit ai konsiderohet dhe babai i gjuhës italiane pasi fama e përhapja e saj në botë pati si pikënisje “Komedinë hyjnore”. /oranews/

Related Articles

Back to top button
Close
Close