LajmeMaqedoniSport

Vit për t’u mbajtur mend nga kombëtarja U-21, por si ishte 2023-shi për skuadrat e tjera të moshave “kuqezi”?

2023-shi, një vit për t’u mbajtur mend për kombëtaren U-21, me “Shpresat” që treguan formën e tyre më të mirë

Viti 2023 foli shqip, me Shqipërinë që siguroi kualifikimin në EURO2024 dhe suksesi e forma e skuadrës së Sylvinho-s rezultoi doza e duhur edhe për Shpresat, që ruajtën ritmin e Kombëtares A.

Viti 2023 mund të konsiderohet pozitiv, por mbi të gjitha, me skuadrën e Alban Bushit që matematikisht është në lojë për të bërë hapin e madh, kualifikimin në Europianin e kësaj grupmoshe.

2022-shi nuk ishte aspak pozitiv, madje solli numra të padëshiruar sepse në 6 takime “kuqezinjtë” morën vetëm një fitore, atë ndaj San Marinos, por këto kujtime të zbehta u larguan shpejtë.

Ky vit nisi në muajin mars, me Shqipërinë që fillimisht u zhvendos në Antalya me fazën përgatitore në prag të kualifikueseve për EURO 2025.

Një vit, jo vetëm pozitiv, sa u përket rezultateve, por Shqipëria kishte në gjirin e saj emra të rëndësishëm, lojtarë me perspektivë, elementë që aktivizohen në nivele të larta në Europë, në ligat kryesore dhe me një ndërthurje me lojtarët që potencialin e tyre e treguan këtu në Shqipëri, në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë.

Pas tre ndeshjeve të para miqësore, dy fitoreve ndaj Azerbajxhanit e Bullgarisë dhe humbjes me Poloninë, Shqipëria e Alban Bushit zbriti në fushën e lojës, në ndeshjen e parë zyrtare në fushatën kualifikuese të EURO2025, në Grupin E së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Në shtator, Shqipëria U21 nisi rrugëtimin me suksesin 1-2 në tokën armene, falë golave të Shpendit dhe Rexhepit, teksa në duelin ndaj Rumanisë, Shqipëria jo vetëm fitoi, por gjithashtu regjistroi një nga përmbysjet më të bukura të historisë.

Në “Elbasan Arena’’, Rumania kryesonte 0-2 deri në minutën e 63-të, por më pas, golat e Christian Shpendit, Berishës dhe Pajazitit çuan në delir popullin “kuqezi”, duke përmbysur gjithçka.

Shtatori u mbyll në mënyrën më të mire të mundshme, ndërsa Tetori solli humbjen e parë zyrtare, me ‘’shqiponjat’’ që u mposhtën përballë Finlandës, por reagimi erdhi shumë shpejt, me Shqipërinë që koleksionoi fitoren e tretë në ndeshjen e katërt përballë Malit të Zi.

Medon Berisha dhe Cristian Shpendi ndërtuan suksesin 2-0 në “Arena Egnatia’’ që ishte shumë i domosdoshëm, teksa “Shpresat” mbajtën edhe portën e paprekur, që në fund rezultoi e vetmja për këtë vit.

Muaji Nëntor solli edhe humbjen e dytë, me Shqipërinë që nuk ia doli në transfertën rumune, ndërsa viti u mbyll me takimin e ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike në Podgoricë përballë Malit të Zi.

2023-shi mund të konsiderohet si një pikënisje, pasi viti 2024 pritet me shumë interes, me Shqipërinë që sheh përpara një mundësi ideale për të shkruar historinë dhe për të prekur fazën finale të Europianit, edhe pse rruga përpara është e vështirë, por jo e pamundur.

Në fund, për një bilanc total, viti 2023 u mbyll me 8 ndeshje, 5 fitore dhe 3 humbje, ndërsa Shqipëria qëndron në vendin e tretë në kualifikueset e EURO2025 të kësaj grupmoshe, me 9 pikë, dy më pak se kryesuesit e Zvicrës dhe një më pak se Rumania.

“Kuqezinjtë” e ekipit U-19 treguan një formë deri diku të mirë gjatë 2023-shit

Sa u përket 19-vjeçarëve, Shqipëria e kësaj grupmoshe nuk ia doli për të lënë gjurmë, teksa gjatë 2023-shit zhvilloi 12 ndeshje në total, por 9 prej tyre miqësore.

Skuadra e Ervin Bulkut e nisi këtë vit me fitoren ndaj Maltës në miqësore, por e mbylli me tre humbje në tre ndeshjet e vetme zyrtare për llogari të kualifikueseve të Europianit.

Të gjitha takimet u zhvilluan në Shqipëri, që ishte një risi, por gjithçka falë FSHF-së, ‘’kuqezinjtë’’ që u pozicionuan në vendin e fundit të Grupit 13-të, pas humbjeve me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë.

Bilanci total për këtë vit ishte, 12 ndeshje, 3 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje.

U-17 vazhduan rrugëtimin e nisur në 2022-shin, pasi e kishin siguruar fazën e dytë të kualifikueseve për EURO2023

Shqipëria e 17-vjeçarëve e nisi vitin 2023 me rrugëtimin që kishte lënë gjatë 2022-shit, kjo pasi “kuqezinjtë” kishin siguruar kualifikimin historik në Fazën e dytë të kualifikueseve për EURO2023.

“Shqiponjat’’ u shortuan në grup me Francën, Letoninë dhe Zvicrën, ndërsa me pak fat, Shqipëria mund të kishte avancuar akoma, por u ndal në dy barazime, teksa humbja e vetme erdhi ndaj ekipit francez. Muaj Mars u mbyll kështu, me vetëm dy pikë larg kualifikimit, teksa ekipi zbriti në fushë përsëri gjatë periudhës Shtator-Tetor, me një formë perfekte, 4 ndeshje, 4 fitore ndaj Kosovës dhe Maltës.

Muaji Nëntor solli përsëri ndeshjet zyrtare për këtë grupmoshë, me Fazën e Parë të kualifikueseve drejt EURO2024, por këtë herë Shqipëria nuk ia doli për të prekur Fazën e Dytë, kjo pasi ‘’kuqezinjtë’’ pësuan dy humbje ndaj Çekisë dhe Portugalisë, ndërkohë që fitorja e vetme u regjistrua ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-0.

Bilanci total për 17-vjeçarët gjatë këtij viti ishte, 10 ndeshje, 5 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

Tashmë, në pritje të ndeshjeve përgjatë vitit të ri, 2024 pritet me shumë interes, por mbi të gjitha me shumë shpresë sepse tashmë Shqipëria pavarësisht moshës ka ndryshuar kurs dhe ka njohur progres, teksa të gjithë urojmë që rritja dhe rezultatet pozitive të vazhdojnë sepse një Komb i tërë po pret për të shijuar dhe festuar çdo fitore e arritje të “Kuqezinjve”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close