
Frikë në qendër të Amsterdamit pas një zjarri të madh që përfshiu kishën historike Vondelkerk pak pas mesnatës.
Flakët përfshinë shpejt ndërtesën dhe në orët e para të mëngjesit u shemb plotësisht kambanorja, ndërsa autoritetet paralajmëruan se e gjithë kisha rrezikon të shembet.
Rajoni i Sigurisë Amsterdam-Amstelland njoftoi se ndërtesa “nuk mund të shpëtohet më”, ndërsa një zëdhënës deklaroi se situata mbetet shumë e rrezikshme. Kisha ndodhet pranë Vondelparkut të famshëm, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit holandez.
Sipas mediave holandeze, pjesë të majës së kishës 154-vjeçare u rrëzuan pasi zjarri kishte përfshirë ndërtesën për më shumë se një orë. Kryetarja e bashkisë së Amsterdamit, Femke Halsema, e cilësoi ngjarjen si “një zjarr shumë intensiv dhe të tmerrshëm në një kishë monumentale”, duke theksuar se prioritet mbetet siguria e banorëve dhe mbrojtja e shtëpive përreth.
Vondelkerk daton nga viti 1872 dhe për dekada ishte e njohur si Kisha e Zemrës së Shenjtë të Jezusit. Pas një periudhe të gjatë braktisjeje dhe rreziku për shembje, ajo u restaurua falë një fondacioni të krijuar në vitin 1980 dhe vitet e fundit shërbente si hapësirë për evente kulturore dhe koncerte.



