
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme ndërkombëtare ku u promovua “Nisma e Shkupit”, bëri thirrje për bashkimin e forcave progresive nga rajoni në një luftë të përbashkët kundër nacionalizmit, populizmit, krimit të organizuar dhe politikave anti-evropiane. Në fjalimin e tij hyrës, Filipçe theksoi se Ballkani Perëndimor ndodhet përpara një mundësie historike për ta përfunduar procesin e integrimit evropian, por edhe përballë një sfide serioze nga forcat që veprojnë kundër demokracisë dhe së ardhmes evropiane të rajonit. Ai paralajmëroi se nacionalizmi, populizmi, krimi i organizuar dhe ekstremizmi po veprojnë gjithnjë e më shumë si një front i përbashkët kundër reformave dhe vlerave evropiane. Filipçe theksoi se rrjetet kriminale dhe strukturat politike retrograde kanë interes të përbashkët për ta bllokuar përparimin e shteteve të rajonit.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Veçanërisht shqetësues është bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet krimit të organizuar dhe strukturave nacionaliste-populiste. Rrjetet kriminale, të mbrojtura nga elitat politike retrograde, kanë më së shumti frikë nga reformat në sundimin e ligjit që i sjell integrimi evropian”.
Filipçe theksoi se pikërisht për këtë arsye nevojitet një formë e re e lidhjes rajonale të forcave progresive përmes “Nismës së Shkupit”.
Kryetari i LSDM-së nënvizoi se sfidat me të cilat përballen shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të përbashkëta dhe kërkojnë përgjigje të përbashkët.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Na nevojitet veprim konkret. Na nevojitet solidaritet dhe mbështetje e ndërsjellë. Na nevojiten strategji të përbashkëta, ndarje e njohurive dhe përpjekje të koordinuara. Për ta mposhtur këtë ‘koalicion të zi rajonal’, duhet të përgjigjemi me unitet, vendosmëri dhe bashkëpunim afatgjatë”, deklaroi Filipçe.
Filipç, theksoi se nuk ka alternativë tjetër përveç mbështetjes së ndërsjellë dhe veprimit të përbashkët për ruajtjen e rrugës evropiane, demokracisë dhe drejtësisë sociale në rajon. /SHENJA/



