LajmeShowbiz

“Victoria’s Secret Fashion Show 2025” rikthen shkëlqimin dhe diversitetin në pasarelë

Një tjetër vit, një tjetër pasarelë e Victoria’s Secret. Engjëjt më të famshëm të botës së modës u rikthyen në skenë, ndërsa disa fytyra të reja debutuan në spektaklin më të komentuar të vitit.

Shfaqja e këtij viti, e mbajtur më 15 tetor në New York, u transmetua drejtpërdrejt në Prime Video, Amazon Live, YouTube, TikTok dhe Instagram, duke tërhequr miliona shikues nga e gjithë bota.

Në pistë u rikthyen supermodelet e njohura Gigi Hadid, Bella Hadid, Adriana Lima dhe Behati Prinsloo, ndërsa për atmosferën muzikore u kujdesën katër yje ndërkombëtarë: TWICE, Missy Elliott, Karol G dhe Madison Beer.

Një ndër momentet më të përfolura të mbrëmjes ishte pjesëmarrja e Angel Reese, lojtarja e basketbollit amerikan, e cila u bë atletja e parë profesionale që sfilon për Victoria’s Secret, si dhe gjimnastja olimpike Suni Lee, që debutoi në pasarelë.

Spektakli u hap nga modelja Jasmine Tookes, e cila sfiloi shtatzënë në muajin e nëntë, me një veshje frymëzuar nga “Lindja e Venusit” e Botticellit – moment që u prit me duartrokitje dhe emocione.

Pas ndërprerjes gjashtëvjeçare, Victoria’s Secret Fashion Show u rikthye në vitin 2024, duke u përqendruar në diversitet dhe përfshirje, pas kritikave për standardet e ngushta të bukurisë që e shoqëruan ndër vite.

Në pistë këtë vit parakaluan edhe modelet plus-size Paloma Elsesser, Ashley Graham dhe Yumi Nu, si dhe Alex Consani, gruaja e parë transgjinore që mori statusin e “engjëllit” vitin e kaluar dhe që këtë vit u rikthye për herë të dytë.

Ky rikthim i markës legjendare duket se ka ringjallur interesin për spektaklin, duke e vendosur sërish Victoria’s Secret në qendër të vëmendjes së botës së modës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close