LajmeRajon

Vërshimet në Fushë Kosovë, autoritetet thonë se një pjesë e qytetit dhe disa fshatra janë në gjendje më të rënduar

Për shkak të reshjeve të shiut të këtyre ditëve të fundit, në shumë vende të Kosovës janë shkaktuar përmbytje dhe vërshime.

Sipas disa videove që lexues të lajmi.net, kanë dërguar në adresë të redaksisë sonë, shihet se në lagjen Dardania dhe në fshatin Grabovc situata është mjaftë e rënduar.

E një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, i cili i ka thënë lajmi.net, se situata më e rënduar për shkak të vërshimeve dhe përmbytjeve është në një pjesë të qytetit dhe në fshatrat Grabovc, Kuzmin, Miradi e disa fshatra të tjerë.

“Është një pjesë e Fushë Kosovës, janë fshatrat Grabovc, Kuzmin, Miradi e disa fshatra të tjera”, ka thënë Topalli për lajmi.net.

Ai ka thënë po ashtu, se tashmë është formuar edhe komisioni dhe grupi punues i komunës që do të bëjë edhe vlerësimin e dëmeve.

“Vërshimet janë të paparashikueshme sepse ne e shohim që nuk është e mundur që të ndalen vërshimet. Ne e kemi të formuar një komision në nivel të komunës një grup punues edhe shtabin e emergjencës i cili është në terren dhe po bën vlerësimet e dëmeve dhe do të shohim më pas se si do të jetë gjendja në të ardhmen”, ka thënë Topalli.

Duhet theksuar se reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe vërshime në shumë zona të Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close