
Me dërgesën e sotme prej rreth 100 mijë vaksinave nga Pfizer dhe 500 mijë dozat e shumëpritura nga prodhuesi kinez Sinovak të dielën, deri në mes të muajit korrik do të vaksinohen të gjithë ata që janë regjistruar në uebfaqen vakcinacija.mk, shpreh bindjen Ministri Venko Filipçe. Autoritetet shëndetësore shtojnë se pandemia tani është nën kontroll, me numër të vogël të të infektuarve, por se askush nuk e di si do të jetë pasqyra në vjeshtë. Për menaxhim më të mirë të krizave të këtilla, Instituti i Shëndetit Publik, me donacion nga SHBA-të është pajisur me laboratori të ri dhe moderne për detektim të çdo lloji të mikroorganizmave.
Rreth 150 mijë qytetarë, të cilët vazhdojnë të presin për vaksinë – do të imunizohen gjatë tri javëve të ardhshme, me dozat e Pfizer dhe Sinovak, të cilat do të arrijnë duke filluar nga sot pasdite dhe në ditët në vijim, sipas paralajmërimeve të Ministrit Filipçe.
“Plani është që deri më 15 korrik të gjithë të regjistruarit të vaksinohen, nuk do të ketë dallime në indikacionet në raport me Pfizer ose Sinovak, të gjitha do të distribuohen, me atë që vaksinat Pfizer në tetë qendrat e mëdha për imunizim ku ka frigoriferë të tillë. Tani do të arrijnë vaksina për 300 mijë qytetarë.”
Maqedonia e Veriut për momentin është në të ashtuquajturën “zonë e gjelbër” me numër shumë të vogël të të infektuarve.
Memeti sot iu falenderua ambasadores amerikane Kejt Bërns për donacionin për modernizimin e laboratorisë në Institutin e Shëndetit Publik për detektimin e grimcave të rrezikshme për shëndetin e popullatës.
“Kjo siguron potencial të ri për të ecur përpara, një gjë që e mësuam nga kjo pandemi është se sfidat e këtilla globale mund t’i mposhtim vetëm nëse punojmë së bashku. Me investim te mjekët dhe te shkencëtarët që ta udhëheqin rrugën, ndërsa si në në SHBA, ashtu edhe këtu, mjekët dhe profesionistët e kanë udhëhequr rrugën dhe me çdo investim të vogël tonin, ata kanë shkuar një nivel më lart.”
Investimi për laboratorinë e re me “bio safety level 3” që do të thotë akreditim për nivelin më të lartë në botë, që mund të detektojë çdo lloj të patogjenëve shkaktarë të sëmundjeve, kap vlerën rreth 570 mijë dollarë. Me këtë ndihma amerikane për përmirësimin e shëndetit publik në vend në periudhën e krizës korona ka arritur rreth 2 milionë dollarë. /KlanMacedonia



