Vendet e Bashkimit Evropian do të mund t’iu sigurojnë vaksina kundër COVID-19 edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nga sasia të cilën do ta ndajë Komisioni Evropian.
Këtë e kanë thënë të enjten në mbrëmje presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas përfundimit të samitit të BE-së, të zhvilluar përmes video-lidhjes. Për shkak të masave për të ngadalësuar përhapjen e virusit, takimet e nivelit më të lartë në BE vazhdojnë të zhvillohen pa praninë fizike të pjesëmarrësve.
Koordinimi i përpjekjeve në luftën kundër pandemisë ishte tema kryesore e këtij takimi të Këshillit Evropian.
Presidentja e Komisionit, Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se pret që vaksinat e para për shitje në tregun e BE-së të marrin autorizimin përkatës në pjesën e dytë të muajit dhjetor, nëse gjithçka shkon sipas skenarit pozitiv. Ajo ka thënë se disa rezultate të testeve së fundi janë shumë premtuese.
Pos përgjegjësisë që BE ndjen për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe lidhjeve përkatëse, në Bruksel si arsye për t’iu ndihmuar me vaksina është edhe ndikimi që përhapja e koronavirusit mund të ketë nga këto vende në BE dhe anasjelltas.