
Ish-arbitri i Premier League, Mark Halsey, ka kritikuar vendimet e arbitrimit në ndeshjen mes Argjentinës dhe Egjiptit, duke deklaruar se kampionët në fuqi u favorizuan nga VAR në fitoren dramatike 3-2 që i kualifikoi në çerekfinalet e Kupës së Botës.
Sipas Halsey, VAR gaboi kur ndërhyri për të anuluar golin e dytë të sulmuesit egjiptian Mostafa Zico. Goli u anulua pasi arbitri François Letexier, pas rishikimit në monitor, akordoi faull ndaj mbrojtësit të Argjentinës, Lisandro Martinez, në fillim të aksionit.
“Ishte një gol fantastik. VAR kishte të drejtë ta kontrollonte aksionin, por nuk ishte një gabim i qartë dhe i dukshëm që të kërkonte ndërhyrje. Për mua, goli nuk duhej të anulohej”, u shpreh Halsey.
Kontestimet nuk u ndalën me kaq. Egjipti pretendoi edhe një penallti pasi Mohamed Salah u rrëzua në zonë pas një kontakti me Julian Alvarez, por arbitri lejoi lojën të vazhdonte. Nga kundërsulmi që pasoi, Enzo Fernandez realizoi golin e fitores për Argjentinën në minutat shtesë.
Halsey theksoi se këtu qëndron problemi i mungesës së standardit në përdorimin e VAR.
“Nëse faulli ndaj Martinez u konsiderua i mjaftueshëm për të anuluar një gol, atëherë i njëjti standard duhej të zbatohej edhe në rastin e Salah. Ose VAR nuk duhet të ndërhynte në asnjërin rast, ose duhej të ndërhynte në të dy”, deklaroi ai.
Pas ndeshjes, sulmuesi egjiptian Mostafa Zico shkoi edhe më tej, duke pretenduar se sfida ishte “e manipuluar” për të favorizuar kualifikimin e Argjentinës. Edhe trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, sulmoi ashpër arbitrin François Letexier për vendimet e marra gjatë takimit.
Egjipti kishte befasuar duke kaluar në avantazh me golin e Yasser Ibrahim, ndërsa portieri Mostafa Shobeir priti edhe një penallti të Lionel Messit. Më pas Zico realizoi edhe golin e dytë, por Argjentina përmbysi gjithçka në minutat e fundit falë golave të Cristian Romero, Lionel Messi dhe Enzo Fernandez.



