
Deri të mërkurën rajoni i vendit tonë edhe më tutje do të jetë nën ndikimin e valës së nxehtë me temperatura të larta të mëngjesit dhe të ditës. Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri mesatare me temperatura maksimale deri 40 gradë, informojnë nga DPHM.
Në gjithë territorin do të jetë aktiv niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta.
“Sipas informacioneve të marra nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, si në shtet, temperatura të larta priten edhe në ditët në vijim pas 24 korrikut. Qeveria solli vendim për ndryshimin e konkludimit nga seanca paraprake, e cila kishte të bëjë me lirimin e disa kategorive të personave nga obligimet e punës nga 21 deri më 24 korrik të vitit 2022, me atë që ky afat është vazhduar deri më 27 korrik të vitit 2022. Rekomandimi për lirim nga obligimet e punës në periudhën nga 27 korrik ka të bëjë me grupet e rrezikuara të qytetarëve, midis të cilëve edhe gratë shtatzëna dhe personat mbi moshën 60 vjeçare”, informon pres-shërbimi qeveritar.
Rekomandimet vlejnë edhe për njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit.
Duke e pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhimi dhe teknologjike mund të përbëjnë një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi i tyre për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.
Qeveria i bëri thirrje publikut dhe qytetarëve për lëvizje me kujdes në pyje dhe shmangien e veprimeve të cilat në hapësirë të hapura mund të shkaktojnë zjarr.



