
Kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës shkollore në këtë komunë gjatë ditës së sotme ka promovuar 12 kabinete të reja për SHMTK “Gostivari”, shkruan Top24
I lumtur që këtë vit shkollor e përmbyllim me promovimin e 12 kabineteve të reja profesionale në SHMTK “Gostivari”, gjë që dëshmon edhe njëherë se kjo shkollë është një histori suksesi në arsimin profesional në vendin tonë.
Në kuadër të projektit “Do Not Leave”, të mbështetur nga Regional Challenge Fund dhe Banka Gjermane për Zhvillim, synimi është që të rinjtë tanë të aftësohen profesionalisht, të krijojnë perspektivë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendin tonë. Gostivari dhe vendi ynë kanë nevojë për dijen, energjinë dhe talentin e tyre.
Kabinetet e reja janë pajisur me teknologji dhe mjete moderne për procesin mësimor, duke përfshirë pajisje CNC, printerë 3D, laboratorë kompjuterikë, infrastrukturë serverike dhe rrjetore, si dhe vegla të tjera të specializuara profesionale, të cilat u mundësojnë nxënësve të fitojnë njohuri praktike dhe përvojë konkrete, duke i përgatitur më mirë për tregun e punës.
Urime për këtë arritje të rëndësishme për arsimin profesional në Gostivar dhe falënderim për të gjithë partnerët që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.



