BotaLajme

UNICEF-i: Të paktën 300 fëmijë të vrarë në Gaza që nga shpallja e armëpushimit të tetorit 2025

Të paktën 300 fëmijë janë vrarë në Rripin e Gazës në 300 ditët e para pas shpalljes së armëpushimit në tetor të vitit të kaluar, njoftoi UNICEF-i të enjten.

Organizata paralajmëroi se dhuna dhe kushtet humanitare vazhdojnë t’i ekspozojnë fëmijët ndaj një rreziku serioz.

“Armëpushimi gjatë të cilit mesatarisht vritet nga një fëmijë çdo ditë nuk mund të konsiderohet sukses për fëmijët”, tha Edouard Beigbeder, drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

“Me qindra fëmijë të plagosur, shumë prej tyre rëndë, fëmijët në Gaza ende presin fundin e dhunës që u ishte premtuar”, shtoi ai.

UNICEF-i njoftoi se shumë familje janë zhvendosur në rreth një të tretën e territorit të Gazës, ku jetojnë në kushte të pasigurta, të rrethuara nga ndërtesa të shkatërruara, rrënoja dhe mbeturina të grumbulluara.

Agjencia paralajmëroi se fëmijët në Gaza vazhdojnë të përballen me një krizë humanitare gjithnjë e më të rëndë, duke përfshirë kequshqyerjen, shpërthimin e sëmundjeve, qasjen e kufizuar në ujë të pastër dhe infrastrukturën sanitare të dëmtuar.

Mes tjerash UNICEFI tha se njoftimet e fundit, të cilat skicojnë një fazë të mundshme të re të armëpushimit – përfshirë përpjekjet për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të zgjeruar ndihmën humanitare – kanë ngjallur shpresa se kushtet mund të përmirësohen.

“Kjo ofron një shpresë dhe një mundësi të re për t’i dhënë fund më në fund vrasjes së fëmijëve”, tha Beigbeder.

“Për fëmijët në Gaza, testi është i thjeshtë: A po ndalon vrasja? A po arrin ndihma në sasi më të mëdha? A po rihapen spitalet dhe a po rrjedh uji? A do të kthehen fëmijët në shkollë të sigurt në shtator?”

“Fëmijët kanë dëgjuar premtime edhe më parë. Këtë herë, marrëveshjet duhet të kthehen në vepra”, shtoi ai.

UNICEF-i i bëri thirrje të gjitha palëve që t’u përmbahen detyrimeve sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë mbrojtjen e fëmijëve dhe sigurimin e qasjes në shërbime themelore si kujdesi shëndetësor, arsimi, ushqimi dhe uji i pastër për pije.

Agjencia i bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë dhe të lehtësojnë qasjen humanitare “të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar” te fëmijët dhe familjet në nevojë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close