
Luftime të ashpra kanë vazhduar në zonën e Bahmutit, Limanit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 5 korrik, duke shtuar se në ditën paraprake në këto zona ka pasur 40 përleshje luftarake.
Në njoftim u tha se mbi 15 vendbanime janë sulmuar nga artileria ruse.
Ndërkaq, guvernatorët e Kurskut dhe Belgorodit në Rusi thanë se këto rajone janë sulmuar nga forcat ukrainase përtej kufirit. Sipas tyre, sulmet kanë ndodhur në orët e para të 5 korrikut, por nga këto sulme nuk u raportua për viktima.
“Qyteti Valujki është nën zjarr nga forcat e armatosura të Ukrainës”, shkroi në Telegram më 5 korrik guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.
“Sistemet tona ajrore funksionuan dhe nuk ka shkatërrim në terren”, shtoi ai.
Në një deklaratë të ndarë, Roman Starovoyt, guvernator i rajonit Kursk, që gjendet në veri të Belgorodit dhe po ashtu ndodhet pranë kufirit me Ukrainën, tha se një shkollë dhe një shtëpi private u dëmtuan nga sulmet në fshatin Tjotkino.
Në orët e vona të 4 korrikut, ushtria ukrainase tha se ka shkatërruar një formacion të forcave ruse në Makijvka në rajonin e Donjeckut, ndërkaq përfaqësuesit e instaluar nga Rusia akuzuan Kievin se ka shënjestruar një spital, duke thënë se një civil u vra dhe 36 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit.
“Si rezultat i sulmit efektiv të njësive dhe forcave mbrojtëse, edhe një formacion i terroristëve rusë në Makijvkën e pushtuar përkohësisht, u shkatërrua”, tha ushtria ukrainase më 4 korrik.



