
Në vend të orës 16:45, siç ishte paralajmëruar, takimi mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe Sindikatës së AOGJSH-së, është mbajtur në mëngjes. Siç kumtuan nga Sindikata, në këtë takim Qeveria ka pranuar kërkesa e tyre të theksuara në protestat që u mbajtën vitin e kaluar, për marrjen e shtesave në pagë përmes lidhjes së marrëveshjeve kolektive individuale në administratë dhe në gjyqësor. Nga AOGJSH shtojnë se në orën 15:30 do t’i thërrasë organet dhe trupat e saj, që të informohen për gjendjen e re. Kumtojnë po ashtu se rritja e pagave për të gjithë të punësuarit në administratë dhe në gjyqësor është më e madhe se rritja tashmë e siguruar me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik, si e drejtë më e favorshme për punëtorët. Për më tepër, sipas tyre, në përllogaritjen e pagave të të punësuarve, si komponentë e pagës mbetet paga minimale, ndërsa përfundojnë duke thënë se lufta për rritjen e pagës minimale për të gjithë punëtorët vazhdon deri në rritjen e saj, e me këtë edhe rritjen e pagave të të gjithë punëtorëve që në përllogaritjen e pagës e kanë pagën minimale.



