
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një vizite, i ka premtuar një qytetari serb se brenda 48 orësh do të kontaktohej nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë (BIA) për punësimin e tij ose të djalit të tij.
“Brenda 48 orëve do të marrësh një telefonatë nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë (BIA), që të të punësojnë ty ose djalin tënd”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Deklarata është publikuar nga avokati serb Çedomir Stojkoviq, i cili e ka cilësuar rastin si dëshmi të ndërhyrjes politike në institucionet e sigurisë dhe ka ngritur dyshime për përdorimin e BIA-s në funksion të interesave elektorale.
Stojkoviq ka publikuar një video nga vizita e Vuçiqit në Qarkun e Jabllanicës dhe Pçinjes, qark në të cilin bëjnë pjesë edhe komunat me shumicë shqiptare, ku presidenti serb shihet duke biseduar me banorët lokalë serbë.
E çështja merr rëndësi për shkak të vendndodhjes së vizitës së Vuçiqit. Qarku i Jabllanicës dhe ai i Pçinjës përfshijnë edhe zonat ku jeton komuniteti shqiptar, përfshirë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.
Në këtë kontekst, premtimi publik për punësimin e një qytetari serb në BIA tingëllon si favorizim i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet shtetërore dhe të sigurisë. Madje, kjo vjen në një kohë kur përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë vazhdon të jetë objekt shqetësimi dhe kritike.
E, sipas Stojkoviqit, gjatë bisedës së lartpërmendur, Vuçiq fillimisht u interesua për numrin e familjeve serbe në fshatrat e zonës, ndërsa më pas një banori serb të papunë i premton se brenda 48 orëve do të kontaktohet nga BIA për mundësinë e punësimit të tij ose të djalit të tij.
“Brenda 48 orëve do të marrësh një telefonatë nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë (BIA), që të të punësojnë ty ose djalin tënd”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Stojkoviq thekson se kjo është dëshmi se presidenti serb ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi shërbimin e inteligjencës dhe se BIA po përdoret për qëllime politike.
Ai pretendon se rasti ngre dyshime për përdorimin e punësimeve në institucionet e sigurisë për sigurimin e votave, ushtrimin e presionit mbi votuesit dhe përfshirjen e strukturave shtetërore në fushatën zgjedhore.
“Me këtë, zgjedhjet janë komprometuar që tani”, shkroi Stojkoviq, duke pyetur se çfarë mund të bëjë shërbimi sekret gjatë vetë procesit zgjedhor “nëse këtë e bën tani”.
Ai e krahasoi mënyrën e qeverisjes së Vuçiqit me atë të presidentit rus Vladimir Putin, të cilën e cilësoi si “modeli i Putinit i qeverisjes në veprim”.
Sipas Stojkoviqit, deklarata e Vuçiqit duhet të ngrejë pikëpyetje edhe për rolin e BIA-s në proceset e mëparshme zgjedhore në Serbi.
Stojkoviq kërkoi reagim edhe nga Bashkimi Evropian, duke bërë thirrje që procesi zgjedhor në Serbi të jetë nën mbikëqyrje të shtuar ndërkombëtare.
“Bashkimi Evropian duhet të insistojë që në Serbi, krahas OSBE/ODIHR-it, të dërgohet edhe EOM, që tani”, deklaroi ai.



