BotaLajmeMaqedoniTopLajm

Turmat në rrugë e rrëzuan qeverinë e Bullgarisë pas javësh pakënaqësi (FOTO)

Qeveria e Bullgarisë ka rënë pas presionit të madh publik dhe krizës së thellë financiare. Kryeministri Rosen Zheljazkov dha dorëheqje sot, pasi opozita paraqiti mocion për votim mosbesimi ndaj qeverisë, për të cilin më pas u votua në Parlament. Zheljazkov e paralajmëroi dorëheqjen para zhvillimit të votimit.

Rosen Zheljazkov, kryeministër i Bullgarisë:
“Ne nuk dyshojmë se votimi për mosbesim nuk do të ishte i suksesshëm. Vendimet e Kuvendit Kombëtar kanë kuptim vetëm kur e pasqyrojnë vullnetin e sovranit. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne e dëgjojmë zërin e qytetarëve që protestojnë. Prandaj, duhet t’i plotësojmë kërkesat e tyre – dorëheqjen e qeverisë. Protesta ishte kundër arrogancës dhe mendjemadhësisë, kundër mënyrës se si zbatohen vlerat e demokracisë. Për këtë arsye, qeveria paraqet dorëheqje.”

Pas deklaratës së tij se kabineti jep dorëheqje kolektive, në Parlament u zhvillua edhe votimi formal për mosbesim. Mocioni u mbështet nga 106 deputetë të partive PP-DB, “Prerodba”, “Veliche” dhe MEÇ. Deputetët e GERB-it, BSP-së dhe partisë “Ka popull të tillë” nuk morën pjesë në votim.

Protesta masive nëpër Bullgari

Mbrëmë, dhjetëra mijëra qytetarë dolën nëpër rrugët e Sofjes dhe qyteteve të tjera, duke protestuar kundër, siç e quanin ata, “qeverisë joligjitime” dhe të ardhurave të ulëta. Turmat brohorisnin “Dorëheqje” dhe “Mafia jashtë”. Demonstratat u vlerësuan si disa nga më të mëdhatë në vitet e fundit.

Dorëheqja e Zheljazkov vjen vetëm pak javë para hyrjes së Bullgarisë në Eurozonë më 1 janar. Disa parti opozitare, por edhe presidenti Rumen Radev, kundërshtojnë futjen e euros dhe kërkuan referendum – kërkesë që u refuzua.

Presidenti Radev, në një adresim drejtuar qytetarëve, deklaroi:

Rumen Radev, president i Bullgarisë:
“Bullgarët janë të revoltuar nga arroganca dhe mendjemadhësia, nga provokimet e organizuara nga oligarkët për të diskredituar protestën e njerëzve të lirë. Pushteti shpiku një ‘zhanër të ri’ – protestë në mbështetje të qeverisë. Dikur këtë e quanin manifestime. Por megjithatë, e vërteta nuk fshihet – pakënaqësia është masive.”

Çfarë ndodh tani?

Ende mbetet e paqartë nëse pas dorëheqjes së Zheljazkov do të shpallen zgjedhje të reja të parakohshme në Bullgari, apo do të tentohet formimi i një shumice të re parlamentare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close