Trumpi thotë se Tajlanda e Kamboxhia janë pajtuar që t’i rikthehen armëpushimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se kishte biseduar në telefon me udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias, të cilët u pajtuan për t’u dhënë fund armiqësive në kufi dhe për t’u rikthyer në armëpushimin të cilin ai e kishte ndërmjetësuar më herët këtë vit.
“Pata një bisedë shumë të mirë këtë mëngjes me kryeministrin e Tajlandës, Anutin Charnvirakul, dhe me kryeministrin e Kamboxhias, Hun manet, në lidhje me rizgjimin shumë fatkeq të luftës së tyre të gjatë. Ata janë pajtuar që t’i ndërpresin të gjitha të shtënat duke filluar nga kjo mbrëmje dhe t’I kthehen Akordit fillestar të Paqes” – shkroi presidenti amerikan në rrjetin “Truth Social”.
“Të dyja vendet janë gati për paqe dhe tregti të vazhduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tajlanda muajin e kaluar e kishte pezulluar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Trumpi pas zemërimit për shkak se një ushtar tajlandez u gjymtua në vargun më të ri të incidenteve që përfshinin mina tokësore. Bankoku thotë se ato mina janë vendosur nga Kamboxhia, e cila i ka mohuar akuzat.
Nga shpërthimi i luftimeve të reja këtë javë u vranë të paktën 20 njerëz, ndërsa më shumë se 260 të tjerë u plagosën, sipas shifrave nga të dyja vendet. Ato e kanë fajësuar njëra-tjetrën për rindezjen e konfliktit.



