
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Irani i ka kërkuar të rikthehet në tryezën e negociatave për një marrëveshje.
Duke folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One, pas kthimit nga samiti i NATO-s në Ankara të Turqisë, Trump tha se Teherani e kishte kontaktuar pak më herët, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Më telefonuan pak kohë më parë. Ata duan shumë të arrijnë një marrëveshje”, u shpreh presidenti amerikan.
Deklaratat e tij vijnë vetëm një ditë pasi kishte thënë se armëpushimi ishte “i përfunduar” dhe se bisedimet me Iranin ishin “humbje kohe”.
Megjithatë, autoritetet iraniane nuk i kanë konfirmuar publikisht pretendimet e Trumpit.
Presidenti amerikan u ndal edhe te operacionet ushtarake ndaj Iranit, duke deklaruar se ShBA-ja i ka shkaktuar goditje të rënda.
“Ne i goditëm shumë fort. Ushtarakisht kemi fituar tashmë dhe atyre u ka mbetur shumë pak”, tha ai.
Edhe pse përsëriti se Irani dëshiron një marrëveshje, Trump shprehu dyshime për besueshmërinë e Teheranit.
“Nuk e di nëse janë të denjë për të bërë një marrëveshje. Nuk e di nëse do ta respektojnë atë”, deklaroi presidenti amerikan.



