
Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit që nga nisja e luftës me Iranin, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA është afër arritjes së synimeve pas fitoreve të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese në fushëbetejë.
“Udhëheqësit e tyre, shumica e të cilëve ishin pjesë e regjimit terrorist që ata drejtuan, tani janë të vdekur. Komanda dhe kontrolli i tyre mbi trupat e Gardës Revolucionare Islamike po shkatërrohet ndërsa flasim. Sonte, çdo amerikan mund të presë me padurim një ditë kur më në fund të jemi të lirë nga ligësia e agresionit iranian dhe fantazma e shantazhit bërthamor. Për shkak të veprimeve që kemi ndërmarrë, jemi në prag të përfundimit të kërcënimit të kobshëm të Iranit ndaj Amerikës. Mund të them që sonte jemi në rrugën e duhur për të përfunduar të gjitha objektivat ushtarake të Amerikës së shpejti. Shumë shpejt”, tha Trump.
Trump tha se kapacitetet raketore dhe të dronëve të Iranit janë kufizuar drastikisht, dhe se infrastruktura e armëve po shkatërrohet
“Kurrë në historinë e luftës një armik nuk ka pësuar humbje kaq të qarta dhe shkatërruese në shkallë të gjerë brenda disa javësh”, tha Presidenti.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se sulmet do të intensifikohen.
“Do t’i godasim jashtëzakonisht fort gjatë dy-tri javëve të ardhshme. Do t’i kthejmë në Epokën e Gurit, aty ku u takon”, tha Trump.
Një qëndrim Trump kishte edhe për Ngushticën e Hormuzit.
“Kur ky konflikt do të mbarojë, ngushtica do të hapet natyrshëm. Thjesht do të hapet natyrshëm. Ata do të duan të jenë në gjendje të shesin naftë”, theksoi Presidenti.
Pas fjalimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, nafta “Brent” u rrit me mbi 6% duke shkuar 108.67 dollarë për fuçi.



