
Në raste tragjedish, mënyra se si veprojnë institucionet tregon shumë për pjekurinë e sistemit. Një krahasim mes tragjedisë në Crans-Montana në Zvicër dhe asaj në Koçan në Maqedoninë e Veriut ka nxjerrë në pah diferenca të dukshme në qasjen ndaj menaxhimit të ngjarjeve.
Profesori universitar dhe juristi Sejfulla Osmani thekson se sistemi ynë juridik shpesh e kërkon fajtorin sipas interesave, ndryshe nga praktika evropiane bashkëkohore, si ajo zvicerane, ku fajtorët kërkohen aty ku veprimet kanë ndodhur.
“Në aspekt procedural, prokurorja atje e kërkon fajtorin aty ku është, kurse ne kërkojmë fajtorin aty ku duam ne. Kjo është diferenca kryesore që na dallon ne si shoqëri dhe sistem juridik, me atë që është një traditë juridike zvicerane, që është shumë euriopiane, bashkëkohore dhe shumë e saktë”, tha Sejfulla Osmani, profesor universitar – jurist.
Profesor Osmani shton se në rastin e tragjedisë në Koçan, më shumë u bë gjueti shtrigash sesa hetim, gjersa shpreson që Maqedonia të merr shembull nga mënyra e hetimit në Zvicër.
“Ne e kërkuam fajin aty ku deshëm, duke gjuajtur shtriga. Duke kërkuar fajtorin te ministrat, te njerëz që kanë pasur kompetenca shumë më herët, kurse ata e kërkojnë tek inspektorati, te menaxherët udhëheqës të korporatës, te faktorët e drejtpërdrejtë për inicimin e zjarrit. Do me thënë kështu duhej bërë edhe në rastin tonë, dhe unë uroj që edhe në rastin e Koçanit vazhdimësia e hetimit dhe kërkimit të përgjegjësit të shkojnë në këtë drejtim”, shtoi Sejfulla Osmani, profesor universitar – jurist.Hetuesit zviceran, me ndihmën e ekspertëve për sigurinë nga zjarri, ngadalë po e përbëjnë mozaikun e tragjedisë. Pyetja kryesore nuk është më vetëm se çfarë e shkaktoi zjarrin, por pse u përhap kaq shpejt dhe me pasoja kaq vdekjeprurëse. Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, shkaku i katastrofës ishte piroteknika e vendosur mbi shishet e shampanjës, të cilat ndezën tavanin e izoluar me poliuretan. Pronari i barit ka thënë se objekti kontrollohej rregullisht dhe gjithçka ishte sipas rregullave, por videot më të vjetra zbulojnë se praktika e rrezikshme me fishekzjarre ishte pjesë e „show“-t të zakonshëm në këtë bar vite më parë.



