EkonomiLajmeRajon

Themelorja anulon vendimin e ZRRE-së për pagimin e rrymës të katër komunave veriore, kthehen mbi 40 milionë euro

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) në Kosovë që t’iu paguhet rryma qytetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017, është anuluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky vendim është anuluar pas ankesës së Avokatit të Popullit të Kosovës.

Gjykata Themelore njofton se e ka detyruar Kompaninë për Shpërndarjen së Energjisë Elektrike (KEDS) që të bëjë kthimin e mbi 40 milionë eurove, për t’iu kompensuar dëmin konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në veri.

Qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës janë faturuar me vite për rrymën e shpenzuar në veri, ndërsa nga viti 2017, borxhet e asaj pjese janë paguar nga buxheti i Kosovës.

“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarrë veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve që janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, për periudhën kohore nga 06.02.2012 deri më 20.10.2017, në vlerë prej 40,855,480 milionë eurosh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Banorët e komunave Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan nuk i paguajnë faturat e rrymës që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Rreth 8 milionë euro në vit llogaritet të jetë borxhi që banorët e këtyre komunave nuk e paguajnë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në muajin maj të vitit 2021, me 61 vota për kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës janë ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës. /Telegrafi/

Related Articles

Back to top button
Close
Close