
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se padrejtësia në Hagë shumë shpejt do të marrë fund, dhe Thaçi me të tjerët do të jenë në Kosovës për të festuar festat e Nëntorit.
Ajo e ka bërë këtë deklaratë, pasi ish-presidenti Thaçi, sot në seancën nga Haga uroi shqiptarët për 28 nëntor.
“Shumë shpejt, President. Shumë shpejt edhe kjo padrejtësi do të marrë fund, dhe bashkë do të festojmë në Kosovën e lirë – çdo festë. Urime 28 Nëntori dhe dalja publike e UÇK-së!”, shkroi Çitaku.
Në Dhomat e Specializuara sot është mbajtur konferencë për rastin e Thaçit dhe të tjerëve. Thaçi në fjalën e tij ka drejtuar kritika ndaj Gjykatës Speciale për arsyen e mbajtjes së kësaj seance për festën e 28 nëntorit.
Thaçi ka thënë se mbajtje e kësaj seance me 28 Nëntor do të duhej të ishte evituar, teksa e cilësoi si befasi jo të mirë.
“Është në interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohet të ndodhin në shtetet tuaja përkatëse. Si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat kombëtare e shtetërore. Mendoj se caktimi i kësaj seanca pikërisht sot më 28 nëntor do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot me 28 Nëntor, për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mire”, deklaroi Thaçi.



