LajmeMaqedoniTopLajm

Teoria në shqip, praktika në maqedonisht! Studentët kundërshtojnë propozimin e ministrit Shasivari

Teoria në shqip, praktika në maqedonisht! Studentët kundërshtojnë propozimin e ministrit Shasivari.

Kryetari i studentëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdi, ka kundërshtuar zgjidhjen e propozuar nga Ministria e Drejtësisë e Jeton Shasivarit, sipas së cilës, pjesa teorike e provimit të Jurisprudencës mund të zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike duhet të jepet në gjuhën maqedonase.

Sejdi thotë se studentët shqiptarë e kanë refuzuar këtë propozim dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë zhvillimin e plotë të provimit në gjuhën shqipe, si në pjesën teorike, ashtu edhe në atë praktike.

“Pas gjithë atyre kërkesave, përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë është: teoria në shqip, ndërsa praktika në maqedonisht. Këtë zgjidhje ne si studentë e kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë ta kundërshtojmë”, ka deklaruar Sejdi.

Ai argumenton se kërkesa e studentëve nuk është jashtë kornizës ligjore, duke iu referuar nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Sipas tij, ky nen përcakton se në procedurat gjyqësore dhe në procedurat e tjera para gjykatave, prokurorive dhe institucioneve përdoret edhe gjuha që flitet nga të paktën 20 për qind e qytetarëve, bashkë me shkrimin e saj.

Sejdi thekson se paragrafi 2 i të njëjtit nen parashikon që të gjitha procedurat të zhvillohen edhe në atë gjuhë kur pjesëmarrësi në procedurë e flet atë, ndërsa paragrafi 4 i obligon institucionet të sigurojnë përkthimin e dokumenteve dhe materialeve të nevojshme.

“Ku në ligj shkruan se teoria mund të jepet në shqip, ndërsa praktika duhet patjetër të jepet në maqedonisht? Nëse ligji thotë ‘të gjitha procedurat’, atëherë ai nuk mund të interpretohet vetëm në pjesën që i përshtatet një zgjidhjeje të caktuar”, pyet Sejdi.

Ai i është drejtuar edhe ministrit të Drejtësisë, duke kërkuar që qëndrimi i Ministrisë të argumentohet me dispozita konkrete ligjore dhe jo të paraqitet vetëm si avancim në realizimin e kërkesave të studentëve.

“Pas muajsh pritjeje, nuk kemi nevojë të na bindni se kjo është ‘avancim’. Na bindni me ligj. Na tregoni nenin që e ndalon”, ka deklaruar Sejdi. Studentët shqiptarë paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe.

“Deri atëherë, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, teori dhe praktikë. Asnjë hap prapa”, përfundon reagimi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close