
Përdorimi i mbeturinave si lëndë djegëse alternative në fabrikat e çimentos, përfshirë edhe “Usje”-n, duhet të rritet sepse kjo do të përmirësojë performancën mjedisore të industrisë, thotë Besa Tateshi nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në intervistë për Radion Evropa e Lirë, njofton Portalb.mk.
Në pyetjen se nëse është e mundur që instalimet e mëdha të përdorin gaz në vend të koksit të naftës, Tateshi tha: “Nëse ne si Ministri e zbatojmë ligjin në mënyrë korrekte, ai përshkruan mënyrën e përdorimit të qymyrit, koksit të naftës dhe gazit. Nuk duhet të imponojmë se cili karburant do të përdoret. Duhet të theksoj se disa industri nuk mund të funksionojnë vetëm me gaz. Për fabrikat e çimentos, përfshirë ‘Usje’-n, zgjidhja është të zvogëlohet përqindja e përdorimit të karburanteve konvencionale me karburante alternative, gjegjësisht mbeturina, të cilat më nuk mund të riciklohen. Përdorimi i karburanteve alternative në vend të atyre konvencionale në fabrikat e çimentos është teknika më e mirë e disponueshme. Ka shembuj evropianë ku fabrikat e çimentos përdorin 70 përqind karburant alternativ (mbeturina) dhe 30 përqind karburant konvencional”.
Ajo përkujton se “Usje” është një nga 40 objektet në Shkup që ka leje të integruar A. Shpjegoi se monitorimi është detyrim i vetë kompanisë, por edhe se Inspektorati ka detyrim të inspektojë instalimin (ndonjëherë të paralajmëruar, ndonjëherë të pa paralajmëruar) dhe, nëse ka dyshime, mund të marrë mostra nga fabrika, oxhaku ose ndoshta ujërat e zeza dhe të kryejë matje në një laborator të çertifikuar.
Thotë se mund të iniciohet monitorim i pavarur i idustrisë.
“Ajo është e mundur, pse jo? Por dua të theksoj se ligji i ri për kontrollin e emetimeve industriale përcakton që të gjithë ata që kanë detyrim për monitorim të vazhdueshëm duhet ta auditojnë atë monitorim një herë në vit nga një laborator i pavarur i çertifikuar,” shtoi Tateshi.
Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.



