
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se para se partia e tij të bashkohej me koalicionin qeverisës VLEN në Maqedoninë e Veriut, ka pasur një takim në Shkup me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Taravari tha se ky takim është zhvilluar në janar të vitit 2024 dhe se qëllimi i tij ishte dyfishtë: që partitë shqiptare të bashkoheshin dhe që të ruhej kursi evropian i vendit.
“Intenca e tyre ishte si të bashkohen krejt partitë shqiptare dhe a mund të bëhen bashkë. Edhe z. Kurti edhe z. Rama kanë pasur tendenca që a mund të bëhemi të gjithë së bashku për zgjedhjet e kaluara. Dhe kjo ishte e pamundur. E dyta, tendenca e dy kryeministrave ka qenë që kushdo qoftë që hyn në qeveri, vetëm mbajeni kursin evropian”, theksoi Taravari.
Ai shtoi se dy liderët shqiptarë kanë kërkuar që partitë shqiptare të jenë faktor që ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë.



