LajmeMaqedoniTopLajm

TAKSË PAS PESË VITESH: Kumanovarët në protestë kundër faturave retroaktive të DAP-it

Thelbi i pakënaqësisë qëndron në karakterin retroaktiv të kërkesës. Qytetarëve po u kërkohet të paguajnë tatim për të ardhura të fituara pesë vite më parë, në raste kur ata pretendojnë se nuk kanë qenë rezidentë tatimorë në vend dhe se tatimi është paguar në shtetet ku kanë punuar. Megjithatë, sipas procedurave aktuale, barra për të dëshmuar këtë fakt bie mbi vetë qytetarët

Anëmsha SHABANI

Shkup, 25 dhjetor – Një valë njoftimesh tatimore të dërguara javët e fundit ka shkaktuar reagime të forta dhe revoltë qytetare në Kumanovë dhe më gjerë. Bëhet fjalë për kërkesa nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) për pagesë të tatimit mbi të ardhurat personale, për të ardhura të realizuara jashtë vendit që nga viti 2020. Për shumë qytetarë, këto njoftime kanë ardhur si befasi e plotë, pasi lidhen me periudha kur ata kanë punuar jashtë Maqedonisë së Veriut, kryesisht në Irak dhe Afganistan, në kuadër të misioneve dhe bazave ndërkombëtare.

Thelbi i pakënaqësisë qëndron në karakterin retroaktiv të kërkesës. Qytetarëve po u kërkohet të paguajnë tatim për të ardhura të fituara pesë vite më parë, në raste kur ata pretendojnë se nuk kanë qenë rezidentë tatimorë në vend dhe se tatimi është paguar në shtetet ku kanë punuar. Megjithatë, sipas procedurave aktuale, barra për të dëshmuar këtë fakt bie mbi vetë qytetarët.

Kjo do të thotë se ata tani duhet të sigurojnë dokumentacion të vjetër – kontrata pune, dëshmi qëndrimi dhe vërtetime për pagesë tatimi jashtë vendit – dokumente që shpesh janë të vështira ose pothuajse të pamundura për t’u siguruar pas kaq shumë vitesh. Në Kumanovë, ku për vite me radhë mijëra banorë kanë siguruar të ardhura nga puna jashtë vendit, njoftimet e fundit nuk përfaqësojnë vetëm një barrë financiare, por edhe pasiguri serioze ligjore. Qytetarët ankohen se nuk janë informuar në kohë për obligimin e deklarimit të këtyre të ardhurave dhe se procedurat aktuale janë të paqarta, të gjata dhe shoqërohen me shpenzime shtesë.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike theksojnë se veprimet e tyre bazohen në analizë të të dhënave dhe në zbatim të ligjit. Sipas DAP-it, tatimi aplikohet vetëm në rastet kur qytetarët kanë qenë rezidentë tatimorë dhe të ardhurat janë pranuar në llogari bankare në vend.

“Bazuar në të dhënat e analizuara deri më tani, rreth 9.000 persona kanë realizuar të ardhura nga jashtë vendit që i nënshtrohen taksimit dhe nuk janë raportuar. Deri tani, rreth 1.300 persona kanë përmbushur vullnetarisht obligimin, kanë deklaruar të ardhura në vlerë prej rreth 19 milionë denarësh dhe kanë paguar tatim në shumë prej rreth 10 milionë denarësh. Për 307 persona, administrata ka përcaktuar zyrtarisht detyrim tatimor në vlerë prej 1.5 milionë denarësh, i cili është arkëtuar”, njoftojnë nga DAP.

Megjithatë, këto shifra nuk kanë mjaftuar për të qetësuar qytetarët e prekur. Ata theksojnë se nuk janë shmangës tatimi, por po përballen me një situatë që nuk u është sqaruar në kohë dhe që rrezikon pagesë të dyfishtë të tatimit, nëse nuk pranohen dëshmitë për pagesë jashtë vendit ose nëse dokumentacioni nuk mund të sigurohet plotësisht. Për këtë arsye, të premten (26 dhjetor), në mesditë, është paralajmëruar protestë para ndërtesës së DAP-it në Kumanovë. Organizatorët theksojnë se protesta nuk është kundër pagesës së tatimit si parim, por kundër mënyrës së zbatimit të ligjit, mungesës së transparencës dhe vendosjes së barrës së plotë mbi qytetarët, disa vite pasi të ardhurat janë realizuar.

Ata kërkojnë sqarime të qarta institucionale, trajtim individual të rasteve dhe zgjidhje që nuk do të penalizojnë qytetarët që kanë punuar jashtë vendit në mënyrë të ligjshme. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close