LajmeRajonTopLajm

Takimi në Ohër/ Osmani: Serbia të mos bëjë kushtëzime. Escobar: Pres rezultate pozitive nga takimi në Ohër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në një takim të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Osmani në fjalën e saj në konferencën e përbashkët me Escobar, pret rezultate pozitive për Kosovën në takimin e së shtunës (18 mars) në Ohër mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Osmani dha mesazhin e qartë se çdo tendencë e Serbisë për të penguar dialogun me Kosovën nëpërmjet kushtëzimeve, do dëmtonte të gjithë procesin.

“Kosova do angazhohet në dialog me qasje konstruktive siç ka bërë gjatë këtij procesi e sidomos tani para takimit. Një marrëveshje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse, është e vetmja mënyrë për të siguruar stabilitet dhe prosperitet në rajon. Shkojmë drejt Ohrit me këtë mendësi. Cdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimeve, do dëmtonte procesin e dialogut”, tha ajo, teksa theksoi se pret që kjo marrëveshje të sjellë rezultate konkrete për Kosovën, duke siguruar integrimin e vendit në institucionet euroatlantike, integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës, çka sipas saj do të rezultonte “me shpërbërjen efektive të strukturave ilegale të Serbisë”.

“Po ashtu kjo marrëveshje përfshin parimet e rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtarë që do shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke. Një rezultat pozitiv nga procesi i dialogut, pa diskutim do jetë dhe vetë kontributi në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë.  Me rëndësi që rendi kushtetues, integriteti territorial, sovraniteti i vendit, funksionaliteti i brendshëm i Kosovës, të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator”, tha Osmani.

Ndërsa i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se takimin e së shtunës në Ohër, pret rezultate pozitive, ndërsa nuk ngurroi të shprehte optimizmin për një zgjidhje paqësore mes dy vendeve.

Ne kemi për qëllim të mbështesim çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, Serbinë për tu bërë anëtare të komunitetit euroatlantik.

Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, rajonin. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam optimist për një zgjidhje paqësore mes dy vendeve, jam i sigurt se pas së shtunës do të kemi rezultate të mira”, tha ai.

/rtsh.al/

Related Articles

Back to top button
Close
Close