
Komisioni për Çështje Evropiane zhvilloi takim me Fernando Mariano Sampedro Markos, sekretar shtetëror për Bashkimin Evropian të Mbretërisë së Spanjës.
Kryetari i Komisionit dhe nënkryetar i Kuvendit, Antonio Milloshoski, shprehu kënaqësinë që Spanja po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se vlerësohet veçanërisht mbështetja e vazhdueshme që Spanja i jep perspektivës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe politikës së zgjerimit të BE-së.
Në këtë kontekst, Milloshoski theksoi se duhet të shfrytëzohet momentumi aktual për përparim në procesin e zgjerimit, paralelisht me Ukrainën dhe Moldavinë, përmes hapjes së proceseve negociuese. Zgjerimi do të jetë situatë fituese për të gjitha palët në drejtim të një Evrope të bashkuar, tha Milloshoski.
Ai shtoi se nga Spanja, si një vend anëtar me ndikim i Bashkimit Evropian, pritet mbështetje në tejkalimin e kontestit dypalësh me Bullgarinë, përmes gjetjes së një zgjidhjeje me përfitim të ndërsjellë për të dyja palët.
Sekretari shtetëror spanjoll konfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në familjen e madhe evropiane, duke theksuar se procesi duhet të bazohet në merita, përmbushjen e kritereve dhe respektimin e vlerave evropiane.
Të pranishmit u pajtuan se takimi përfaqëson edhe dëshmi tjetër të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe të përcaktimit të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave, praktikave të mira dhe dialogut, me vizita të ndërsjella intensive dhe aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme.






