
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i habitur me mosreagimin e institucioneve të vendit për helmimet në Deçan.
“Kërkojmë me urgjencë që Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet të dislokohen në Deçan, në mënyrë që të shohin nga afër gjendjen e të helmuarve, gjendjen e familjeve dhe të ndihmojnë komunën në raport me të helmuarit dhe me personat e infektuar, me këtë helmim që është ende i çuditshëm”.
Tahiri në një konferencë për media para mbledhje së Kryesisë, ka thënë që i dëshirojnë shërim të shpejtë të helmuarve dhe u “themi që nuk do të jenë të vetëm dhe do të ngrisim zërin e tyre edhe në Kuvend”.
“Kërkojmë që MSH-ja të ndihmojë me të gjitha mjetet e nevojshme që ka, pasi komuna po operon vetëm me kapacitetet e veta komunale, përderisa numri i të helmuarve ka shkuar në mbi 1000 njerëz. Çka ka ndodhë? Pse nuk ka reagim të qeverisë, ministrisë dhe të institucioneve. A është kjo komunë në Kosovë, apo jo”, u shpreh tutje Tahiri.
“Është e pakuptueshme dhe e paprecedentë që për tri ditë rresht të raportohet në media që ka pasë helmim masiv dhe që numri ka shkuar mbi 1000 njerëz dhe ministri dhe të gjitha instancat të mos kenë asnjë reagim”, tha ai.



