
Gjykata Themelore e Prishtinës pritet të shpallë sot aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit: Vlladimir Tolliç, Bllagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Radoiçiç përshkruhet si “udhëheqësi i grupit terrorist”, si dhe akuzohet për financim dhe lehtësim të terrorizmit dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, më 24 shtator 2023, grupi i armatosur bllokoi rrugën në fshatin Banjskë me kamionë dhe më pas sulmoi efektivët e policisë që ndërhynë për të hapur rrugën.
Gjatë sulmit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën disa efektivë të tjerë.
Prokuroria thekson se grupi ishte i trajnuar profesionalisht dhe kishte hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme, i pajisur me automjete të blinduara, armë të rënda, municione, raketahedhës dhe pajisje të tjera ushtarake.



