BotaLajmeTopLajm

Sulmi rus me dron në Rumani, reagon kreu i NATO-s: Jemi gati të mbrojmë çdo centimetër të territorit aleat

Një dron ushtarak rus ka goditur një bllok apartamentesh në qytetin Galați të Rumanisë, duke shkaktuar një zjarr në katin e dhjetë të ndërtesës dhe duke lënë të plagosur dy persona. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të kufirit lindor që Rumania ndan me Ukrainën dhe Moldavinë, një zonë kjo që po përballet gjithnjë e më shumë me pasojat e sulmeve ajrore ruse.

Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e ka cilësuar këtë incident si më seriozin që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës së agresionit rus në Ukrainë. Menjëherë pas ngjarjes, kreu i shtetit rumun ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare për të analizuar situatën e sigurisë.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar me ashpërsi edhe Aleanca Veriatlantike. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e dënoi incidentin duke e cilësuar si një akt të pakujdesshëm dhe sjellje të pamatur të Rusisë, që përbën një rrezik real për anëtarët e aleancës.

Përmes një mesazhi në rrjetin social X, Rutte bëri me dije se ka zhvilluar një bisedë me Presidentin Dan, duke e siguruar atë për mbështetjen e plotë të të gjithë aleatëve.

“Rusia vazhdon të sulmojë civilët dhe infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën dhe mbrëmë tregoi edhe një herë se implikimet e luftës së tyre të paligjshme të agresionit nuk ndalen në kufi. NATO është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat”, deklaroi Rutte, duke nënvizuar se aleanca do të vijojë të forcojë mbrojtjen ajrore në rajon dhe do të vazhdojë mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close