LajmeRajon

Sulmi ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, autorët qëlluan 9 herë me pistoletë dhe u larguan nga deti

Policia ka gjetur 9 gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm në vendin ku u qëllua 50-vjeçari Thimjo Rubati, alias Sandër Rubati, në lagjen nr. 4 të Sarandës.

Dyshimet e deritanishme janë se autorët, menjëherë pas ngjarjes, janë larguar me motor drejt zonës së plazheve në lagjen e quajtur “Baba Rexhepi” dhe më pas ka dyshime se kanë përdorur mjet lundrues. Policia gjatë natës ka krehur zonën për zbulimin e motorit që përdorën dy autorët.

Edhe pse një natë para ngjarjes, në të njëjtin vend, djali i Thimjo Rubatit, 27-vjeçari Andrea Rubati, me dy shokët e tij Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, dhunuan dhe kanosën me thikë oficerin e policisë Mihal Velço, grupi hetimor e ka përjashtuar këtë pistë nga hetimi. Organizatorët e atentatit mund ta kenë përdorur si moment pikërisht për të devijuar hetimet. Policia, nga ana e saj, po heton pista të ndryshme, nga larja e hesapeve deri te konflikti i pronësisë, i lidhur kjo me falsifikimin e dokumenteve.

Thimjo Rubati rezulton se ka dalë dy vitet e fundit nga burgu në Greqi, ku ishte arrestuar për vrasje. Në vitin 2018, ai ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet burg për veprat penale “Tregëtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabandë me mallrat e tjerë”, lidhur me një skemë të kontrabandës së automjeteve ku ishin përfshirë edhe doganierë. Por, teksa ndodhej në burg në Greqi, Gjykata e Apelit ia konvertoi dënimin në vitin 2023 në 2 vjet shërbim prove, duke bërë që pas ardhjes nga Greqia, Rubati të mos kryente asnjë ditë burg për dënimin shqiptar. Pas daljes nga burgu grek, në janar 2024, ai u procedua sërish në gjendje të lirë nga policia e Sarandës, pasi u dyshua se, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kishte trafikuar një automjet “Toyota” dhe i kishte ndryshuar elementët identifikues.

Në vitin 2021, emri i Thimjo Rubatit u përmend në një emision investigativ, ku një shtetasi i ishte përdorur karta e humbur e identitetit nga Rubati, për të shmangur tarifat e zhdoganimit të makinave.

Precedentët e tij penalë nisin që prej fillimit të viteve 2000, kur ai është arrestuar në Sarandë bashkë me disa persona të tjerë për trafik klandestinësh. Më pas, po në fillim të viteve 2000, në Tiranë është arrestuar me armë në automjet, pas një denoncimi se një gjimnaziste ishte marrë në automjet nga Rubati dhe një shok i tij nga Saranda. Pas këtyre ngjarjeve, Thimjo Rubati është përfshirë në trafikimin dhe kontrabandimin e mjeteve të vjedhura nga Greqia në Shqipëri dhe për këtë ka edhe precedentë penalë.

Edhe djali i tij, shtetasi Andrea Rubati, rezulton person me precedentë penalë, i arrestuar në qershor 2022, pasi është kapur në drejtimin e një automjeti që rezultonte i vjedhur në Itali. Në qershor të këtij viti, sipas burimeve policore, dyshohet se i është larguar postbllokut të FNSH-së, ndërsa prej 48 orësh është në kërkim për kanosjen dhe dhunimin e oficerit të policisë Mihal Velço.

Related Articles

Back to top button
Close
Close