
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar të mërkurën se Rusia mund ta sulmojë përsëri Ukrainën, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ofrojnë garanci të sigurisë, derisa ka mbërritur në Washington për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, shkruan The Guardian.
Vizita e Starmerit vjen dy ditë pas vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, që ishte lideri i parë evropian që vizitoi Trumpin që nga rizgjedhja e tij si president i SHBA-së.
Më herët gjatë javës, Starmeri kishte bërë të ditur se Britania e Madhe është e gatshme t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje nga 2.3% në 2.5% të bruto produktit vendor deri në vitin 2027.
Njoftimi për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes ka ardhur teksa vendet evropiane përpiqen të forcojnë mbrojtjen e tyre kolektive pasi presidenti amerikan po e ndryshon kursin e politikës së jashtme amerikane, duke anashkaluar Evropën.



