LajmeMaqedoni

“SPILE” SHËNOI 55 VJET FUNKSIONIM. Deri tani janë prodhuar mbi 14.7 milioni GWH energji elektrike

“Katër nëntori është një jubile me domethënie të madhe për hidrosistemin ‘Drini i Zi’. Hidrocentrali ‘Spile’ është një kapacitet strategjik”, ka thanë drejtori i EEM-së, Lazo Uzunov

Hidrocentrali “Spile” në afërsi të Dibrës shënoi 55-vjetorin e fillimit të prodhimit të energjisë elektrike. Hidrocentrali në fjalë, i cili deri para disa viteve ishte një subjekt juridik me vete si pjesë e Elektro Ekonomisë së Maqedonisë, tani është pjesë e Sistemit të hidrocentraleve “Drini i Zi” dhe ka një kapacitet shumë domethënës në prodhimtarinë e energjisë elektrike në kuadër të SH.A “Elektro Ekonomia e Maqedonisë”. Në shënimin e 55-vjetorit mori pjesë edhe drejtori i ri gjeneral, Lazo Uzunov,  i cili theksoi se jubileu i 55-të është argument se ky hidrocentral plotësisht ka plotësuar pritshmëritë, dhe është një segment shumë i rëndësishëm në prodhimtarinë e energjisë elektrike në vend .

“Katër nëntori është një jubile me domethënie të madhe për hidrosistemin ‘Drini i Zi’. Hidrocentrali ‘Spile’ është një kapacitet strategjik”, ka thanë drejtori Uzunov. Para të punësuarve, por edhe para ish të punësuarve në këtë hidrocentral, foli edhe drejtori i ri i Hidrosistemit “Drini I Zi” ku marrin pjesë hidrocentralet “Spile” dhe “Globoçica”, Goce Bozhinovski, ndërsa tregoi investimet që janë bë deri tani. “Nga fillimi me prodhimtari të energjisë elektrike në 4 nëntor të vitit 1969 deri sot janë prodhuar gjithsej 14.799.19 GËH energji elektrike. Për 55 vite ky hidrocentral ka patur një prodhimtari mesatare prej 275 GWH”, informoi Bozhinovski .

Në solemnitetit mori pjesë edhe eksperti i prodhimtarisë elektrike – inxhinieri Sejfulla Jani. Jani për gazetën KOHA tregoi se në hidrocentral është punësuar para se të fillonte madje prodhimtaria e energjisë.

“Fillimisht morëm pjesë në rregullimin e turbinave dhe në të gjithë sanimet e turbinave. Të gjithë të punësuarit u angazhuam nga viti në vit që hidrocentrali me investimet dhe sanimet të rris prodhimin e energjisë elektrike. Kam punuar plot 40 vite dhe kam dale në pension nga këtu”, tregoi Jani, ndërsa shtoi se si gjeneratë e parë, kanë patur angazhim maksimal, por që ia kanë dalë mbanë. Ndryshe, hidrocentrali “Spilje” shfrytëzon ujërat të liqenit artificial të Dibrës, ku derdhen lumenjtë Radika dhe Drini i Zi. Akumulimi në fjalë ka mbuluar tokën më pjellore të Dibrës, Udovën nga e cila jo vetëm qyteti i Dibrës, por edhe rajoni ka patur një prodhimtari të madhe bujqësore. Jorastësisht kjo fushë është quajtur “Ambari i Dibrës”. Për shkak të prodhimtarisë të rregullt të energjisë elektrike, këto ditë ka një ulje drastike të nivelit të liqenit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close