
Gjykata Speciale ia ka vazhduar për herë të nëntë paraburgimin në rastin për administrim të drejtësisë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ekziston një “rrezik real” që, nëse ai lirohet, mund të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara.
“ZPS-ja thekson se ekziston një rrezik real që z. Thaçi të synojë dëshmitarët e rastit 6 dhe/ose të ushtrojë presion ndaj bashkëkryerësve të paakuzuar në këtë rast. Prokuroria gjithashtu i referohet klimës së përhapur të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, e cila dëshmohet edhe nga vëmendja dhe shqyrtimi publik në mediat lokale”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Specialja.
Po ashtu, thuhet se vendimi i tetë kishte konstatuar se rreziku i paraburgimit në këtë rast ishte i reduktuar në krahasim me rishikimet e mëparshme të paraburgimit, por nuk ishte eliminuar plotësisht.
“Duke marrë parasysh mënyrat e ndryshme në të cilat ende mund të dëgjohet prova, përfshirë mundësinë që dëshmitarët të thirren nga gjykata ose që të paraqitet provë kundërpërgjegjëse apo kundërpërgjigjeje deri në mbylljen e rastit”.
Ndër të tjera, Specialja vlerëson se rreziku i zbulimit publik dhe pasojat e tij duhet të shihet në kontekstin e një klime të përhapur të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë.
“Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit është i bindur se mbetet një rrezik real që z. Thaçi mund të pengojë zhvillimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe të kryejë vepra të tjera penale”.
Thaçi në këtë rast gjykohet së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin. Ndërkaq, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen nga Specialja për krime të pretenduara të luftës, vendimi përfundimtar pritet të shpallet më 20 korrik. Vendimi ishte paraparë të shpallej në qershor, por Specialja kishte kërkuar kohë shtesë. Në rast se sërish kërkohet kohë shtesë, vendimi për ish-krerët e UÇK-së mund të shtyhet deri në shtator.



