Sot gjigant botëror, por 36 vjet më parë Apple “varrosi” 7 mijë kompjuterë

Mijëra kompjuterë të rinj dhe të pashitur përfunduan në një landfill në Utah të Shteteve të Bashkuara në vitin 1989. Bëhej fjalë për rreth 7 mijë njësi të Apple Lisa, një prej produkteve më ambicioze, por edhe më të dështuara të Apple.
Apple Lisa ishte hedhur në treg në vitin 1983 dhe konsiderohej revolucionar për kohën. Ai ishte ndër kompjuterët e parë komercialë të orientuar drejt bizneseve që përdorte ndërfaqe grafike dhe maus.
Megjithatë, çmimi prej afro 10 mijë dollarësh e bëri atë tepër të shtrenjtë për shumicën e klientëve. Shitjet nuk arritën pritshmëritë dhe Apple e hoqi relativisht shpejt modelin nga tregu.
Me mijëra kompjuterë Lisa mbetën të pashitur në magazina. Një distributor nga Teksasi i ofroi kompanisë blerjen e tyre, me synimin për t’i përmirësuar dhe rishitur si pajisje të përdorura.
Por Apple e refuzoi ofertën. Kompania zgjodhi të merrte përsipër humbjet financiare, duke synuar të mbronte imazhin e saj në një periudhë kur Macintosh po merrte gjithnjë e më shumë rëndësi.
Në vitin 1989, rreth 7 mijë kompjuterët e mbetur u dërguan në një landfill në Utah. Sipas raportimeve, pajisjet u shtypën me makineri të rënda dhe më pas u groposën.
Dekada më vonë, ekzemplarët e Apple Lisa që kanë mbijetuar janë kthyer në objekte të rralla koleksioni. Ndërkohë, kompania që dikur groposi mijëra kompjuterë të pashitur është sot një prej emrave më të mëdhenj të industrisë globale të teknologjisë.



