
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke theksuar se çdo ditë po dëshmohet se Aleanca për Shqiptarët kishte vepruar drejt kur u largua nga koalicioni “Vlen”.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në skenën politike tregojnë qartë se për të qenë pjesë e qeverisjes nën tutelën e VMRO-së, partitë shqiptare në “Vlen” po detyrohen të bëjnë koncesione të rënda dhe të pranojnë çdo kërkesë që u imponohet.
> “Tani është bërë e qartë se për të qenë nën tutelën e VMRO-së, duhet t’i dorëzohen asaj koncesione të mëdha, madje të rënda. Partitë e mbetura në ‘Vlen’ kanë hyrë në këtë labirint dhe kanë pranuar gjithçka që u kërkohet,” ka shkruar Snopçe.
Ai ka kujtuar deklaratën e kryeministrit se “ne kemi plan dhe qëllim”, duke shtuar se ky plan tashmë po zbatohet me hapa konkretë.
> “Ashtu siç deshi padroni i tyre, ata ia dorëzuan Butelin, dhe tani kërkohet edhe Kërçova, Bërvenica e Struga, pjesë e së njëjtës strategji. Për këtë, kryeministri i kërcënon me mbështetjen në Tetovë dhe komunat tjera shqiptare,” ka theksuar deputeti.
Snopçe ka akuzuar partitë shqiptare të përfshira në koalicionin “Vlen” për bashkëpunim në zbatimin e planeve të VMRO-së, duke e quajtur këtë “tradhti kombëtare”.
> “Është e kuptueshme që VMRO dhe udhëheqësi i saj të kenë plane dhe ambicie politike, por është tradhti kombëtare që partitë shqiptare të bëhen bashkëpunëtore në zbatimin e tyre,” ka deklaruar ai.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ka shtuar se disa nga ata që dikur kërkonin ridefinim të shtetit, sot kanë humbur çdo dinjitet politik.
> “Ata që dikur kërkonin ridefinim të shtetit, sot arrijnë të thonë se ‘përkatësia etike’ është më e rëndësishme se përkatësia etnike shqiptare! Vaj medet ku janë fundosur!”, ka shkruar Snopçe, duke përmendur edhe thënien e Dario Fo: *‘Jemi në baltë deri në fyt, prandaj ecim me kokën lart.’*
Në fund të reagimit, Snopçe thekson se më 2 nëntor shqiptarët do të kenë mundësinë të vendosin qartë për të ardhmen e tyre politike.
> “Më 2 nëntor, shqiptarët do të vendosin qartë: secili mund të bëjë ç’të dojë me fatin dhe pronën e vet, por jo me fatin, pronën dhe të ardhmen e atyre që kanë përkatësi etnike shqiptare,” përfundon reagimi i tij.



