
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një 33-vjeçari nga Shkupi, i dyshuar për kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë së ish të dashurës së tij, vepër e dënueshme sipas nenit 144 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 dhe 1 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, në periudhën nga 5 deri më 30 tetor, i dyshuari me dashje ka kryer disa veprime të ndërlidhura, duke e kërcënuar ish partneren e tij se do t’i rrezikonte jetën.
Përmes mesazheve me shkrim dhe zanore në rrjetet sociale, ai ka kërcënuar vazhdimisht, duke ushtruar dhunë në familje. Kërcënimet janë shtuar pasi viktima është larguar nga banesa e tij, pasi ishte nën presion të vazhdueshëm dhe fyerje të rënda.
Më 30 tetor, para një klinike ku viktima ishte e shtruar për trajtim, i dyshuari ka filluar të sillet në mënyrë agresive, duke u kërcënuar se do ta vriste vëllain e saj. Ai e ka tërhequr për dore viktimën dhe ka tentuar ta detyrojë të kthehet në banesën e tij, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri.
Prokuroria ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.



