
“Mos u bo merak se bëhet më mirë…”
Me këto fjalë mundohet një grua ta ngushëllojë burrin e saj, që gjendeshin të ulur në oborrin e Klinikës Infektive në QKUK, aty ku po qëndrojnë më dhjetëra familjarë të personave të infektuar me COVID-19.
Shpresa e tyre e vetme është lajmi se familjarët e tyre po e tejkalojnë këtë sëmundje, derisa brenga që po i ‘vranë’ ata është se ilaçet kryesore duhet t’i sigurojnë nga xhepi i tyre.
A. L., nga Deçani thotë se ‘vetëm ujë me kripë’ – tretës ka të sigurt në Klinikën Infektive, derisa thotë se të gjitha barnat e tjera janë duke i blerë vetë për nipin e tij që është i shtrirë në Klinikë.
“Këtu në Klinikë e kemi djalin e vëllaut, 31 vjeç është i infektuar. Ne po duhet të gjitha barnat kryesore m`i ble, sepse nuk ka asnjë për terapi, pos infuzionat që s’po duhet me i ble se kanë, të tjerat të gjitha”, tha ai, i cili deshi të mbetej anonim.
“Na ka vdek edhe vëllau para disa dite prej Covid po ashtu, por s`ka qenë i vaksinuar, situata është shumë e rëndë”, shton ai.
Drejtori i klinikës Infektive, Arben Vishaj, është pyetur për barnat që duhet t’i blejnë qytetarët, por se ai nuk ka pranuar të japë detaje.
“Nuk e di saktë unë cilat barna duhet m`i ble ata, ato janë të shënuara në recetë, eja nesër të tregoj se cilat barna”, tha shkurt Vishaj.
Sot është shënuar rekord i zi me vdekjet nga COVID-19. 36 persona të prekur nga COVID është raportuar se kanë vdekur në 24 orët e fundit.
Ndërsa 1 mijë e 630 të tjerë janë infektuar me virusin korona.
Në nivel vendi janë mbi 120 perona të hospitalizuar.






