
Protesta e punëtorëve e detyroi kryeministrin Hristijan Mickoski të hynte në Qeveri në këmbë, e jo me automjetin zyrtar. LSM organizoi bllokadën e fundit nga tre gjithsej para institucioneve të caktuara. Ata kërkuan që në mbledhjen e sotme të propozohet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për pagën minimale.
Nëse autoritetet nuk e rrisin pagën minimale në 600 euro deri në fund të shkurtit dhe nuk tregojnë vullnet për rritjen e pagave të tjera, punëtorët paralajmërojnë se do të organizojnë protestë të madhe dhe grevë të përgjithshme, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.
“Në protestë do të thirren të gjithë punëtorët që mendojnë se pagat e tyre janë të ulëta. Për të gjithë punëtorët do të sigurojmë transport, që të mos ketë asnjë justifikim. Të gjithë do të dalim në rrugë për t’u treguar se nuk jemi të kënaqur me pagat. Kjo do të ndodhë në gjysmën e parë të muajit mars, sepse muaji mars është muaji kur duhet të përcaktohet lartësia e pagës minimale”, tha Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së.
Sipas qytetarëve, është e domosdoshme rritje urgjente e pagave, thonë se edhe pse punojnë ditë e natë, nuk arrijnë të fitojnë as për bukë.
“Sot kam ardhur për nipërit, kam dy nipër dhe u dhanë nga 25,000 denarë rrogë. Por ata nuk mund t’ia dalin me ato para”, u shpreh një protestues.
“Jemi më të mjerët në gjithë Evropën me të ardhura personale”, tha një tjetër protestues.
Nga Qeveria thonë se mbeten në qëndrimin se për kërkesat e punëtorëve është e nevojshme të arrihet marrëveshje mes tyre dhe punëdhënësve



