LajmeRajon

“Shtini n’gji” – Sheholli i thotë gruas së tij pasi pranoi material dhe 5 mijë euro nga BIA

Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, ka përshkruar veprimet që, sipas saj, i pandehuri i ka kryer më 26 shtator 2025 në Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, në datën e sipërpërmendur, i pandehuri udhëton drejt Mitrovicës së Veriut dhe gjatë gjithë rrugës shfaq shqetësim se mund të jetë nën përcjellje. Duke planifikuar mënyrën e fshehjes së aktivitetit të tij, ai i thotë një familjari: “Edhe nëse m’ka përcjell dikush t’ja hupi…”.

Kjo bisedë e Shehollit me një familjar/e të tij është zhvilluar brenda makinës “Audi” dhe është incizuar nga organet e hetuesisë së Kosovës në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës për zbatimin e masave të veçanta hetimore “Monitorim i fshehtë i bisedave në vende private”.

Zbatimi i këtyre masave të fshehta, sipas urdhëresës së gjykatës, përfshin periudhën e datave 23.09.2025, 24.09.2025, 26.09.2025, 30.09.2025 dhe 01.10.2025, “duke zbatuar planin e BIA-së”.

Pas mbërritjes pranë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut më datën 26 shtator të vitit të kaluar, gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga Klan Kosova, ai kontakton me Bojan Dimiqin, zyrtari i lartë i BIA-s serbe, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.

Sipas aktakuzës, pak minuta më vonë, një person me kapele të zezë ia hap derën e automjetit dhe i dorëzon materialin në një fasikël të kaltër dhe shumën prej 5,000 eurosh, ashtu siç ishin akorduar me zyrtarin e BIA-s.

Menjëherë pas pranimit, sipas Prokurorisë Speciale, Fatmir Sheholli e udhëzon bashkëshorten që materialin ta fshehë në trupin e saj, duke i thënë: “Qitash kat shkojna duhet me kqyr. Kqyr onash. Shtini ne gji aty ti”.

Më pas, sipas aktakuzës, ata ndalen në një qendër tregtare për ta verifikuar përmbajtjen e materialit dhe shumën e parave që ishin dakorduar paraprakisht.

Më poshtë janë pjesë nga transkripta e raportit të masës së veçantë me veprimet e përshkruara në aktakuzë, minuta 09:45 – 10:20, me kohën reale 14:39:52, kur Fatmir Sheholli e thërret në telefon Bojan Dimiqin:

Fatmiri: Une jom pertej rruges ne Parking te nje shkolle pikerisht pertej rruges ne hyrje te shkollës teknike ku shkruan kafebar Sindikat aty jam perpara.

Bojan Dimiq: a osht e fshehte diku a po shihet ne hyrje te shkolles teknike, ne rregull ne rregull.

Pas përfundimit të bisedës me Bojan Dimiqin, Fatmir Sheholli vazhdon bisedën me gruan e tij.

Fatmiri: mi sheh tabelat, qaj qe ka me ardh. I kallxova ku jom.

Gruaja e Fatmirit: Po ma mire … (nuk kuptohet).

Fatmiri: Jo jo qata ja dhash une ni qark me kqyr, (nuk kuptohet) me dal me ec deri qatje, a me nejt nkerr. Mka thon me nejt n kerr. Se kjo shkoll ka kamera. Krejt shihet kush pi len kerret ktu. Edhe knena kqyri flamurat t shkijeve n banesa. Edhe ktu flamur i shkijeve, se kjo osht shkoll e shkijeve nuk osht e jona.

Gruaja e Fatmirit: po de.

Fatmiri: kqyri tabelat krejt BG CC, veq qiky 01 edhe 02.

Gruaja e Fatmirit: i kuj osht zero dyshi.

Fatmiri: i Mitrovices i joni RKS. Na e kemi 01-sh. E ka edhe naj shka…

Gruaja e Fatmirit: (nuk kuptohet).

Fatmiri: po se ka dit ku jom aj oj grue, une qitash i kallxova. Tash aj e thrret ata, dej t’vjen njeri, e din tash ku ka mu taku. E qon najfar mjekroshi t’atina, i ka krejt me mjekra.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës sa ka qenë duke biseduar në telefon, në minutën 00:36 të audioincizimit dhe në kohën reale 14:45:42, nga zhurma mund të kuptohet se personi me kapele të zezë ia hap derën e veturës dhe e mbyll, duke ia dorëzuar materialin që Sheholli ka qenë duke e pritur t’ia sillte dikush, si dhe paratë.

Fatmiri: (qesh) mu ke bo… po qe mthirri ky bash nqat vakt. Qitash kat shkojna duhet me kqyr. Kqyr onash. Shtini ne gji aty ti.

Sipas Prokurorisë Speciale, nga ekzaminimi i telefonit të të pandehurit vërtetohet se ai paraprakisht kishte mbajtur komunikime me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiq.

Në aktakuzë janë paraqitur edhe komunikimet e datës 26.09.2025, të rregulluara sipas kohës reale UTC+2.

Në orën 11:44:12 është dërguar mesazhi: “u koliko mozes da budes, tursija ti je gotova”.

Në gjuhën shqipe: “Për sa mund të vish, turshitë tuaja janë gati”.

Sipas aktakuzës, përmes këtij mesazhi, Bojan Dimiq e ka njoftuar të pandehurin Fatmir Sheholli se materiali është gati. Pas kësaj, i pandehuri Sheholli është nisur në drejtim të Mitrovicës së Veriut.

Në orën 11:54:12 është dërguar mesazhi: “Da se cujemo jos jednom”.

Në gjuhën shqipe: “Do të flasim përsëri”.

Ndërsa, në orën 13:48:41 është dërguar mesazhi: “Salji tablice i auto”.

Në gjuhën shqipe: “Dërgo targat dhe makinën”.

Sipas aktakuzës, përmes këtij mesazhi konfirmohet se Dimiq ka kërkuar nga i pandehuri Fatmir Sheholli targat dhe veturën, ndërsa më 26.09.2025, kur ky i fundit ka qenë në Mitrovicën e Veriut për t’i marrë materialet, paraprakisht ia ka dërguar foton e makinës së tij zyrtarit të BIA-s serbe, Bojan Dimiq.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 26.09.2025, në orën 13:50:13, i pandehuri krijon një fotografi ku e fotografon veturën e tij “Audi” me targa 01-XXX-OA.

Në bazë të transkriptës së masës së veçantë, sipas aktakuzës, kuptohet se më pas këtë fotografi, Fatmir Sheholli ia ka dërguar Bojan Dimiqit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close