LajmeRajonTopLajm

Si ndodhi vrasja e taksistit në Gjilan, 12 gëzhoja plumbash u gjetën në vendngjarje

B.V 50-vjeçar, u privua nga jeta mbrëmë në afërsi të kafeterisë ku zakonisht pinte kafe. Prokuroria Themelore e Gjilanit është në fazën fillestare të hetimeve dhe nga ajo çfarë ka mësuar Express deri në këto momente, në vendgjarje u gjetën 12 gëzhoja plumbash. Ai punonte taksist dhe ishte person që njihej nga qytetarët e Gjilanit.

Si figurë, i ndjeri njihej edhe nga punëtorët e kafeterisë ku zakonisht pinte kafe, por të njëjtit thanë për Express se nuk dinë asgjë për ngjarjen dhe nuk kanë pasur raporte personale me të.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar tre persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘’Vrasja e rëndë’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi që në mënyrë të paautorizuar kanë mbajtur në pronësi armë zjarri. Gjithashtu prokuroria i ka kërkuar gjykatës kompetente caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.O., G.B. dhe I.V. (emra të njohur për redaksinë).

50-vjeçari që dyshohet se mbrëmë u ekzekutua me breshëri plumbash jetonte në Gjilan, ndërsa sot dyerve të oborrit të shtëpisë së tij i ishte vënë dryni, pasi siç thanë fqinjtë e tij për Express, familja e tij e ngushtë jeton dhe vepron në Gjermani.

Për shkak të plagëve të rënda të shkaktuara nga arma e zjarrit, taksisti kishte vdekur në vendin e ngjarjes.

Prokuroria Themelore e Gjilanit informoi se mbrëmë rreth orës 19:45 minuta, “pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin Bakush Veseli, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij, në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”.

Policia tha se është sekuestruar vetura me targa vendore, e cila dyshohet se u përdor në rastin e vrasjes së 50-vjeçarit.

Motivet e vrasjes mbeten akoma të panjohura, derisa burime të Expressit brenda prokurorisë thanë se hetimet janë në fazën fillestare si dhe posedojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë nga momenti kur kishte ndodhur vrasja, të cilat besohet se do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Show More

Related Articles

Back to top button
Close
Close