BotaLajme

Si mund ta pengojmë planin e Rusisë për të shkaktuar një krizë ushqimore globale

Nga Seth Cropsey “Wall Street Journal”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Rreth 25 milionë tonë drithë ndodhen aktualisht të bllokuara nga anijet ruse në magazinat e porteve ukrainase. Nëpërmjet ndërprerjes së furnizimeve globale me ushqim dhe energji, Kremlini po synon të shkaktojë sa më shumë kriza, për ta detyruar Perëndimin të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për t’u ulur në tryezën e negociatave.

SHBA-ja duhet ta sabotojë strategjinë ruse, duke krijuar një korridor detar përmes një koalicioni detar, që është i gatshëm të sigurojë transportin e grurit ukrainas në portet e vendeve importuese. Ky akt do të lehtësonte krizën globale të ushqimit, teksa do të minonte një element kyç të ndikimit rus mbi Ukrainën dhe aleatët e saj.

Që nga fillimi i grumbullimit të trupave në kufi, Vladimir Putin synoi ta trondiste Kievin dhe Perëndimin deri në masën që të nënshtroheshin, pa pasur nevojë që ai të përdorte trupat e tij për ta pushtuar Ukrainën. Me këtë luftë, Moska po synon të arrijë objektiva që nuk janë gjeostrategjike në kuptimin e zakonshëm të lehtësimit të një fitoreje ushtarake.

Përkundrazi, qëllimi është të ushtrohet presion mbi aleatët e Ukrainës që të tërhiqen, dhe ta detyrojnë të kapitullojë presidentin Volodymyr Zelensky. Përgatitja 1-vjeçare e ushtrisë së Putinit në kufi, synonte ta bindte Perëndimin se një fitore e shpejtë e rusëve ishte e pashmangshme, raporton abcnews.al.

Ofensiva fillestare e Rusisë – një sulm me shumë fronte pas një bombardimi me raketa – supozohej ta bindte Perëndimin se mbështetja e Ukrainës ishte diçka që nuk ia vlente. Edhe ofensiva aktuale e trupave ruse në Donbas, aktualisht e fokusuar përreth Severodonetsk, synon ta bindë Perëndimin për të njëjtën gjë:se Ukraina nuk ka asnjë shans, qoftë edhe me një ndihmë më të madhe ushtarake, ndaj duhet të negociojë ose do të gllabërohet nga “ariu” rus.

Por situata në terren, bie ndesh me narrativën e Kremlinit. Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë pësuar humbje të rënda. Por Ukraina ka tani mbi 700.000 burra nën armë, dhe synon të ketë 1 milion ushtarë deri në vitin 2023. Kievi ka nevojë vërtet për pajisje shtesë, por ka rezistuar edhe pa shumë armë të rënda, duke e ngadalësuar ofensivën ruse në Donbas, duke i dëbuar rusët nga Kharkiv, duke kundërsulmuar pranë Khersonit, dhe duke ia mohuar Moskës një përparim vendimtar.

Me kalimin e kohës, Rusia do të ketë mungesë të njerëzve, predhave dhe topave. Kremlini ka lënë të kuptohet publikisht, se Rusia është gati të zhvillojë një luftë të gjatë. Por Rusisë i mungon fuqia luftarake për ta pushtuar plotësisht Ukrainën, apo për të penguar dërgesat e armëve perëndimore.

Në vend të kësaj, Putin shpreson se aleatët evropianë të SHBA-së dhe Ukrainës do të përçahen. Duke pasur parasysh shkallën dhe publicitetin mediatik mbi mbështetjen perëndimore, morali dhe performanca luftarake e ukrainasve, janë aq shumë të ndërthurura me angazhimin e aleatëve të tyre, sa që një ndryshim në politikën perëndimore, mund ta dërrmojë vullnetin e Kievit për të rezistuar.

Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit të ekonomisë globale për shkak të luftës, i ka dhënë mundësi Rusinë të ushtrojë një presion shtesë mbi Perëndimin, dhe të grumbullojë fonde të reja. Rritjet e çmimit të naftës dhe gazit, kanë krijuar një treg anësor fitimprurës për Kremlinit në Indi dhe Kinë, ndërsa Evropa konsumon ende e detyruar gazin rus.

Ndërprerja e eksporteve ushqimore ukrainase nga Rusia, nxit diçka të ngjashme. Ukraina është një prodhuesja kryesore e shumicës së produkteve ushqimore të tregtuara, sidomos e grurit dhe vajrave bimore. Rusia i ka bllokuar gati të gjitha eksportet ukrainase, duke e minuar Detin e Zi, dhe duke vendosur atje një forcë të madhe detare, së bashku me pushtimin e qyteteve portuale ukrainase Mariupol, Berdyansk dhe Kherson.

Miliona ton drithë mbeten të bllokuar në Odessa. Vetëm një pjesë e vogël e produkteve ushqimore ukrainase po largohen nga vendi, gati vetëm përmes linjave hekurudhore, duke udhëtuar drejt porteve rumune dhe bullgare. Qëllimi i Moskës është të ushtrojë presion ekonomik mbi Perëndimin.

Duke rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve, Kremlini mund ta nxisë rritjen e inflacionit në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo mund t’i detyrojë qeveritë perëndimore të ushtrojnë presion ndaj Kievit, për lëshime apo për arritjen e një marrëveshje me Moskën, që e zhbllokon grurin ukrainas, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por synimet e Kremlinit shtrihen përtej paqëndrueshmërisë së çmimeve. Bllokada ruse mund të krijojë gjithashtu kriza edhe në politikën e jashtme për SHBA-në dhe Evropën në mbarë botën. Moska e mësoi leksionin e Covid-19:Goditjet globale, mund të shkaktojnë rezultate politike ekstreme dhe të papritura.

Pandemia i prishi zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, dhe i transformoi modelet ekonomike dhe të konsumit të energjisë. Ajo ka ende një efekt tek tregtia. Kina po vazhdon të praktikojë izolime të rrepta më tepër se 2 vjet pas fillimit të pandemisë, dhe nuk ka gjasa të lejojë të huajt të hyjnë në vend deri në vitin 2023.

Duke ndërprerë furnizimin me ushqim dhe energji, Kremlini kërkon të krijojë konfuzion global, dhe kësisoj të provokojë paqëndrueshmëri dhe kriza. Shembulli më tipik është Sri Lanka. Ky vend nuk paguan dot borxhet e veta, dhe është përfshirë nga trazira për shkak të inflacionit të lartë, raporton abcnews.al.

Edhe Libani ndodhet në një gjendje të rëndë, por nuk ka gjasa të marrë mbështetje financiare ndërkombëtare, për shkak të depërtimit të Hezbollahut në qeverinë e tij. Edhe para se Rusia të pushtonte Ukrainën, Lindja e Mesme dhe Afrika kishin hyrë në një spirale inflacioniste në përshpejtim e sipër.

Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar këtë cikël. Rritjet e çmimeve të ushqimeve kanë filluar në Amerikën Latine, ku ka të ngjarë të ketë një inflacion më të madh dhe destabilitet ekonomik. Një seri krizash rajonale, do të rriste presionin ndaj Perëndimit për t’i dhënë fund luftës. Flukset e rëndësishme të emigrantëve afrikanë, të nxitura nga kushtet e vështira ekonomike, do të forcojnë të djathtën ekstreme rusofile në Evropë. Një valë emigrantësh në Amerikë, do ta shpërndante vëmendjen e administratës Biden. Në këto kushte, zgjidhja e qartë është zhbllokimi i eksporteve të grurit të Ukrainës, duke e lehtësuar presionin mbi furnizimin global të ushqimit dhe ulur inflacionin.

Kjo do kërkonte një mision të madh çminimi dhe shoqërimin e anijeve tregtare, duke krijuar një korridor nga Odesa deri në Mesdheun Lindor. Ky operacion, do të kërkonte një forcë detare shumë të madhe për të shmangur pengesat e Rusisë. Një mision i tillë funksionoi në rrethana të ngjashme gjatë luftës Iran-Irak, gjatë operacionit “Earnest Will”.

SHBA-ja nuk duhet ta kryejë këtë mision përmes NATO-s, pasi Franca, Italia dhe Gjermania ka të ngjarë të vendosnin veton. Amerika duhet të krijojë koalicion të përkohshëm me pjesëmarrjen e Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe ndoshta shteteve baltike, Suedisë dhe Finlandsë, për të zbutur ndarjet brenda NATO-s.

Turqia nuk ka nevojë të marrë pjesë në mënyrë aktive. Por ajo duhet të lejojë veprimin e këtij koalicioni në Detin e Zi. Ndaj është e domosdoshme që administrata Biden të arrijë një pakt me Turqisë. Uashingtoni mund të ofrojë edhe lejimin e pjesëmarrjes së Turqisë në programin e prodhimit të avionëve F-35 dhe blerjen e F-16, çështja më e nxehtë e përplasjeve midis 2 vendeve.

Kjo është mënyra më e mirë dhe me kosto të ulët, për të siguruar konsensusin e Turqisë për këtë operacion. Mund të duket si më e sigurt të mos ndërhyhet fare, por krizat e mëdha që synon të provokojë Moska, do të ishin shumë më të rrezikshme. Anijet luftarake amerikane dhe aleate, mund ta sabotojnë strategjinë e Moskës pa asnjë të shtënë armësh.

Shënim: Seth Cropsey, themelues dhe president i “Yorktown Institute”. Më herët ka qenë ushtarak karriere në marinën amerikane, dhe zëvendës/nënsekretar i Marinës së SHBA-së.

/abcnews.al

Related Articles

Back to top button
Close
Close