KulturëLajme

Shiroka, poeti i soneteve

Nga Jehona Hyseni

Filip Shiroka u lind në Shkodër, më 3 gusht  të vitit 1859. Mësimet fillestare i mori në shkollën françeskane të Shkodrës.

Njëri nga mësuesit e tij ishte poeti i mirënjohur arbëresh, Leonardo De Martino, ndikimi i të cilit ndjehet jo vetëm në vargjet e Shirokës por edhe të Mjedës e të Fishtës. Poema e parë e botuar ishte “All’Albania all’armi, all’armi!”, një poezi me theks luftarak kombëtar kushtuar mbrojtjes së Ulqinit, në kohën kur Fuqitë e Mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit të Zi, Hotin e Grudën, vendosën t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin.

Poezia kishte karakter mobilizues. Ai e shkroi në gjuhën italiane dhe e botoi në Obsservatore Cattolico të Milanos më 1878, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ashtu sikur edhe miku i tij nga Shkodra,  Pashko Vasa, shkoi në Itali për të ndjekur studimet e larta. Si shumë intelektualë shqiptarë të shekullit XIX, Filip Shiroka e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij jashtë Shqipërisë.

Më 1881, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai u vendos në Egjipt dhe Liban ku punoi si inxhinier në konstruksionin e hekurudhave. Aty kaloi pjesën më të madhe të jetës, u lidh me lëvizjen e emigrantëve shqiptarë dhe filloi të shkruante vjersha.

Disa vjet punoi në Bejrut të Libanit, me përkrahjen e Pashko Vasës. Me Çajupin e lidhte një miqësi e ngushtë. Vjershat e tij, të shkruara në vitet 1896-1903 u botuan në gazetat shqiptare të kohës, kryesisht në “Albania” të drejtuar nga Faik Konica.

Ato u përmblodhën më vonë nga historiani i njohur Dom Ndoc Nikaj, dhe u botuan në vëllimin me titullin “Zani i zemrës”,  Tiranë 1933.

Shiroka, i cili po ashtu përdori pseudonimet Gegë Postriba dhe Ulqinaku, është autor i së paku 60 poemave, tri tregimeve të shkurta, artikujve dhe disa përkthimeve, veçanërisht të veprave për liturgjinë katolike.

Pseudonimi i tij letrar ishte Geg Postriba, përkundër përzgjedhjes që kishte bërë Luigj Gurakuqi, i cili në poezitë e tij nënshkruante Lekë Gruda.

Tema në veprën e poetit Filip Shiroka ishte ajo e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve.

Në poezitë “Burri”, “Gjergj Kastrioti”, “Shypnia”, Shiroka bëri thirrje hapur për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

Në poezitë e tij më të mira, që i kushtohen mallit për atdhe, Shiroka mediton mbi fatin e tij dhe atë të atdheut. Melankolia dhe humori i hollë i përshtaten tepër Shirokës, që me vjershat e këtij lloji sjell një notë vetjake në poezinë tonë të Rilindjes. Poezitë më të njohura janë “Shko dallëndyshe” dhe “Dallëndyshe eja”.

Vdiq në Bejrut të Libanit më 1935 me mall e dashuri për atdheun, me dëshirën qe të varroset në Varrezat e Rrmajit, ku kishte varrin e prindërve.

Filip Shiroka ishte poet me ndjenja të holla, një krijues lirik i lindur e krejt i natyrshëm, një mjeshtër i gjuhës, i shprehjeve të ëmbla dhe të pastra si kristali, e për këtë ai zë një vend të nderuar në historinë e letërsisë shqipe.

Nga Shiroka, një poet i periudhës së vonë të romantizmit, kanë ardhur 18 sonete, shumica e tyre botuar në gazetën “Albania” të Konicës.

Faik Konica ka mendimin se “sonetet e tingëllueshme” të Filip Shirokës ia vlejnë të përmblidhen në një vëllim më vete.

Dhe pse Konica shpreh një konsideratë të tillë dhe këtë e thotë gati njëzet vjet, pasi ishte shkëputur nga gazeta e tij “Albania”, Shiroka prapë për gjykimin e sotëm të studiuesve mbetet një poet modest.

Vdiq në vitin 1935 në Bejrut të Libanit. Eshtrat e Filip Shirokes, u sollën nga Libani në atdhe nga Qeveria komuniste e Shqipërisë dhe u rivarrosën në qytetin e Shkodrës, rreth një çerek shekulli pas vdekjes së poetit.

Në ceremoni të varrimit të eshtrave morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë shkodranë dhe admirues të poetit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close