LajmeMaqedoniTopLajm

Shtyhet gjykimi i Grubit

Me furgon policie, mëngjesin e 24 gushtit, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup u dërgua ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, në seancën e tij të parë si i akuzuar në rastin që lidhet me Lotarinë Shtetërore, ku dëmi i vlerësuar ndaj buxhetit është 8.2 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, sapo filloi gjykimi, gjyqtarja lexoi të dhënat bazë për të akuzuarit dhe seanca u shty me kërkesë të njërit prej avokatëve të të akuzuarve, në mënyrë që ai të shqyrtojë dosjen e lëndës dhe të përgatisë mbrojtjen.

Së bashku me Grubin, në këtë rast janë gjithsej tetë të akuzuar. I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është në arrati dhe ndaj tij gjyqi zhvillohet në mungesë.

Të gjithë të tjerët janë të pranishëm dhe sot u paraqitën në sallën e gjyqit. Mes tyre janë ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore.

Për secilin prej tyre, prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski sollën në sallën e gjyqit nga një kuti kartoni të bardhë, të mbushur me prova të mbledhura gjatë hetimit.

Prokuroria ka gjithsej 231 prova materiale (dokumente), si dhe shtatë dëshmitarë. Kopjet e tyre u vendosën në tetë kutitë e kartonit, nga një për secilin të akuzuar, të cilat pas përfundimit të seancës i morën me vete të akuzuarit ose avokatët e tyre.

Aktakuza për këtë rast u dorëzua më 13 gusht. Bëhet fjalë për një propozim-akuzë dhe gjykimi do të zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.

Të tetë të akuzuarit ndiqen penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.

Prokuroria Themelore Publike Shkup më 13 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 8 personave si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal, për çka parashihet dënim me burg prej më së shumti pesë vite. Të akuzuarit dyshohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024 bashkërisht kanë ndërmarrë veprime me të cilat i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të veta të posaçme, me qëllim që ta dëmtojnë Lotarinë Shtetërore në vlerë të 507.632.173 denarëve.

Siç sqaron Prokuroria, dëmi konsiderohet të jetë prej 507.632.173 denarësh (mbi 8.2 milionë euro).

“Ata ishin të vetëdijshëm se Shoqëria Aksionare për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit në terminalet e videolotarive në territorin e vendit, pasi në vitin 2013 këtë të drejtë e kishte investuar si kontribut jomonetar me vlerë prej 6.244.898 eurosh gjatë themelimit të Shoqërisë për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore e Videove e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA” SHPK Shkup, për çka kishte fituar pjesë prej 51% të kapitalit themeltar të shoqërisë”, thanë nga Prokuroria.

Përmes ndarjes automatike lënda i është caktuar gjykatëses Biljana Shuplinovska – Jovevski.

Për Artan Grubin është propozuar vazhdimi i masës së mëparshme të caktuar të arrestit shtëpiak, e cila i është caktuar së bashku me masën e kujdesit, marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.

Prokurori publik kompetent ka propozuar që edhe për të akuzuarit e tjerë të caktohen masa kujdesi, detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në Gjykatë, marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalimi i afrimit ose vendosjes, përkatësisht mbajtjes së kontakteve apo lidhjeve me persona të caktuar.

Nga Gjykata Penale njoftuan se përmes shpërndarjes automatike, lënda i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska-Jovevski.

“Duke pasur parasysh se Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar propozim-akuzë, masa e paraburgimit, në përputhje me nenin 470 paragrafi 4 të Ligjit për Procedurë Penale, mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-akuzës deri në përfundimin e shqyrtimit kryesor, përkatësisht më së shumti 60 ditë nga dita e sotme”, thanë nga Gjykata Penale.

Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurt në orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës.

Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u ishte caktuar fillimisht masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.

Related Articles

Back to top button
Close
Close