
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë orëve të pasdites zonën e Priskës së Madhe fshati Daias në Tiranë.
Zjarri po përhapet në një sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa poshtë kodrës ndodhen banesa dhe biznese, duke rritur rrezikun. Flakët janë afruar pranë Lundrës në Tiranë dhe po u afrohet banesave dhe bazës së helikopterëve në Farkë, pasi flakët jashtë kontrollit.
Flakët e favorizuara nga era u përhapën me shpejtësi, ndërsa tymi mbuloi gjithë zonën. Vatrat riaktivizohen nga era herë pas here, teksa helikopterët hedhin ujë pranë banesave që të mos përhapet zjarri.
Zjarrfikëset e Elbasanit i bashkohen ekipeve në Priskë të Tiranës për shuarjen e flakëve, pasi situata në terren është e vështirë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë për ta vënë nën kontroll flakët, bashkë me një helikopter të Forcës Ajrore. Ndërkohë raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë nga flakët është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre.
Përveç Tiranës, situata e vështirë me zjarret vijon edhe në Krujë, Dibër dhe Patos. Ministria e Mbrojtjes raporton për 10 vatra aktive në orët e fundit, ndërsa në terren janë angazhuar mbi 500 forca operacionale, 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
Kruja vijon përballjen me zjarret prej disa ditësh. Dhjetëra efektivë dhe dy helikopterë po punojnë në terren për shuarjen e flakëve. Situata më problematike paraqitet në fshatin Abazë, ku bashkia urdhëroi dhe evakuimin e banorëve.
Edhe në Lurë të Dibrës prej shumë orësh vijon një nga operacionet më të rëndësishme, teksa flakët rrezikojnë Parkun Kombëtar. Në zonë, përveç dhjetëra zjarrfikësve dhe policisë, po luftojnë me flakët edhe dy avionët Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.
Situatë e rënduar është edhe në Drenie të Bashkisë Patos. Pamjet nga zona tregojnë sipërfaqe të tëra mes flakëve, ndërsa në terren po punojnë forca të shumta të emergjencave.



