
Komisioni Evropian ka konfirmuar në një deklaratë zyrtare për Albanian Post mundësinë e përfshirjes së Shqipërisë në fondin e përbashkët të mbrojtjes së BE-së – SAFE (Security Action for Europe).
Ekzekutivi evropian theksoi se subjektet me bazë në Shqipëri tashmë mund të japin kontribute të drejtpërdrejta deri në një kufi të caktuar.
“Subjektet me bazë në Shqipëri mund të ofrojnë menjëherë deri në 35 për qind të vlerës së një produkti mbrojtës”, sqarojnë autoritetet evropiane në përgjigjen për Albanian Post.
Komisioni vë në dukje gjithashtu se fondi SAFE sjell për Shqipërinë “mundësi të reja që më parë nuk kanë ekzistuar” në nivelin e BE-së, përfshirë:
Pjesëmarrjen në aktivitete të përbashkëta të prokurimit të realizuara nga Shtetet Anëtare të BE-së;
Mundësinë që aktorë shqiptarë të kontrolluar dhe të bazuar në Shqipëri të jenë të pranueshëm për të marrë pjesë në prokurimet e përbashkëta të mbështetura nga instrumenti SAFE (duke tejkaluar kufirin 35 për qind të përmbajtjes nga vende të treta), nën kushte që lidhen me një marrëveshje me BE-në për modalitetet e sakta, si kontributi buxhetor dhe siguria e furnizimit.
Në deklaratë theksohet po ashtu se “për të rritur pjesëmarrjen industriale përtej kufirit 35 për qind, është e nevojshme një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje (i nënshkruar në nëntor 2024) si dhe një marrëveshje bashkëpunimi që pason atë”.



